Messi drejt rinovimit me Inter Miamin

- Bota Sot

Messi drejt rinovimit me Inter Miamin

Sulmuesi argjentinas, Lionel Messi, pritet të nënshkruajë një kontratë të re me Inter Miamin, sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano.

Sipas burimeve të afërta të Romanos me klubin, negociatat mes palëve janë në fazën përfundimtare, me vetëm disa detaje administrative që po finalizohen përpara nënshkrimit.

Messi, i cili iu bashkua skuadrës nga MLS në korrik të vitit 2023, ka qenë figura qendrore në projektin ambicioz të Inter Miamit, duke ndihmuar klubin të fitojë popullaritet global dhe të bëhet një forcë konkurruese në MLS.

“Messi mbetet plotësisht i përqendruar te projekti i Inter Miamit dhe është i përkushtuar të ndihmojë klubin të arrijë objektivat e tij", thuhet në raportimin e Romanos.

Aktualisht, kontrata ekzistuese e 37-vjeçarit skadon më 31 dhjetor 2025, por klubi amerikan synon ta zgjatë marrëveshjen për të paktën edhe një sezon tjetër, duke garantuar që ylli argjentinas të vazhdojë të jetë pjesë e planit afatgjatë të skuadrës.

Në rast se rinovimi konfirmohet, Messi do të mbetet jo vetëm fytyra e Inter Miamit, por edhe një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit amerikan.



Lexoni të gjitha në Bota Sot