Ish-futbollisti i njohur holandez Royston Drenthe, dikur pjesë e Real Madridit, është shtruar në spital pas një goditjeje në tru (iktus). Lajmi u bë i ditur nga faqja zyrtare në Instagram e skuadrës FC Der Rebellen, një ekip i përbërë nga ish-futbollistë profesionistë, ku 38-vjeçari është pjesë.
Në njoftimin e klubit thuhej: “Të premten e kaluar, Royston Drenthe pësoi një goditje në tru. Ai aktualisht është nën kujdes mjekësor dhe në duar të sigurta.
Ekipi dhe të gjithë të afërmit e tij shpresojnë për një rikuperim të qetë. Familja e Royston kërkon paqe dhe privatësi gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që t’i ofrojë atij mbështetjen e nevojshme për shërim.”
Drenthe konsiderohej një talent premtues i futbollit holandez, por pas transferimit te Real Madrid në vitin 2007, karriera e tij nuk mori drejtimin e pritur. Ai ka luajtur në Spanjë, Angli, Rusi, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më pas u rikthye në Holandë, ku u tërhoq nga futbolli në vitin 2019.
Pas karrierës sportive, Drenthe u përfshi në muzikë si këngëtar rap, ndërsa që prej vitit 2023 është analist sportiv në televizionin Ziggo Sports në Holandë. Aktualisht, ish-lojtari ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.