Javë e zjarrtë për Barçën, Flick mes lëndimeve dhe përballjes me Realin

- Bota Sot

Javë e zjarrtë për Barçën, Flick mes lëndimeve dhe përballjes me Realin

Barcelona po përgatitet për një javë vendimtare, ku brenda pak ditësh do të përballet me dy sfida të rëndësishme.

Të mërkurën katalanasit presin në “Montjuic” skuadrën greke të Olympiakos-it në Ligën e Kampionëve, ndërsa të dielën udhëtojnë drejt Madridit për “El Clasicon” ndaj Realit.

Kalendari i ngjeshur dhe lëndimet e shumta po e vendosin trajnerin Hansi Flick përballë një testi të vështirë. Gjermani shpreson të rikthejë në kohë Ferran Torres dhe Raphinhan për ndeshjen e fundjavës, ndërsa për përballjen evropiane pritet të improvizojë sërish, siç bëri në sfidën kundër Gironës, ku Barcelona fitoi falë golit të Araujo-s në rolin e papritur të sulmuesit.

Pas atij suksesi, Flick tërhoqi vëmendjen me një festim të diskutueshëm duke bërë gjestin e “çadrës”, që shkaktoi reagime në rrjetet sociale.

Vetë tekniku pranoi se duhet të ndryshojë mënyrën e reagimit të tij në bankinë.

“Nuk jam nervoz, por ndjej emocione të tjera nga më parë. Kur isha te Bayern më akuzonin se nuk qeshja kurrë. Tani, Barcelona më ka ndryshuar. Jetoj për këtë ekip dhe dua të jap gjithçka për të. Por duhet të përmirësohem, sepse nuk është e këndshme që nipi im të më shikojë në televizor duke bërë atë gjest,” u shpreh Flick.

Sa i përket kundërshtarit të radhës në Champions, gjermani tregoi respekt për Olympiakos-in.

“Janë një skuadër me sulm shumë të fortë. Statistikat e vërtetojnë këtë. Pashë ndeshjen e tyre ndaj Arsenalit dhe krijuan shumë raste. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, theksoi Flick.

Në prag të një jave që mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e sezonit, Flick kërkon ekuilibër mes rezultateve, rotacionit dhe rikthimit të qetësisë në ambientin blaugrana.



Lexoni të gjitha në Bota Sot