Nexhat Zariqi është një dhurues me përvojë i gjakut i cili iu ka përgjigjur sot aksionit për dhurimin vullnetar të gjakut në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.
Ai tregoi se ka dhuruar gjak që nga koha kur ka qenë ushtar dhe se deri më tani e ka bërë këtë gjest human plot 101 herë.
“Prej majit kur kam nisë e deri tash, nuk e di – ndoshta jam më i vjetri në Mitrovicë në këtë aspekt. Kam dhuruar 101 herë. Ndihesh mirë, lehtësohesh. Kush është i aftë, pse mos me ardhë me dhuru?”, u shpreh Zariqi.
Aksioni për dhurimin e gjakut u realizua nga Instituti i Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, përkatësisht nga njësia që funksionon në kuadër të Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
Ndërkohë, sipas organizatorëve, interesimi i qytetarëve ishte më i madh krahasuar me vitet e kaluara.
Drejtori i QKMF-së në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani, tha për KosovaPress, se si institucion i kujdesit parësor shëndetësor është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka dhurimi i gjakut dhe për këtë arsye kanë kontribuar në mënyrë aktive që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm.
“Ne e kemi ditur rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe kemi participuar në mënyrë aktive që ky aktivitet të zhvillohet sa më me sukses. Sipas drejtoreshës udhëheqëse të ekipit, puna ka ecur mirë në krahasim me vitet e kaluara – ka interesim më të madh të qytetarëve, dhe shpresojmë që deri në fund të aktivitetit numri i dhuruesve të vazhdojë të rritet”, u shpreh Sylejmani.
Ai shtoi se ky është një aktivitet tradicional që zakonisht organizohet një herë në vit, ndërsa orari caktohet nga Instituti i Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë.
Ndërkohë, doktoresha e transfuzionit, Arta Kalludra, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me shëndet të mirë që të dhurojnë gjak.
“I ftojmë të gjithë ata persona që kanë shëndet të mirë dhe kanë kohë të lirë të na bashkohen në aksionin e dhurimit të gjakut. Është një mision i shenjtë për të ndihmuar pacientët në nevojë”, tha ajo, duke shtuar se kjo është hera e dytë që ky aksion organizohet në QKMF.
Ajo sqaroi se edhe pse dhurimi i gjakut bëhet çdo ditë në gjithë territorin e Kosovës, përmes institucioneve shëndetësore dhe organizatave të ndryshme, organizimi i tillë brenda QKMF-ve, është ende një proces i ri.
Sipas saj, edhe pse organizimi i qytetarëve është i mirë, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. “Besoj se me kalimin e kohës, popullata do të vetëdijësohet më shumë dhe numri i dhuruesve do të rritet”, shtoi ajo.
Kalludra theksoi gjithashtu se procedura e dhurimit të gjakut nuk zgjat më shumë se 10 deri në 15 minuta, dhe se personat që kanë shëndet të mirë, nga mosha 18 deri në 65 vjeç, mund të dhurojnë gjak pa problem.
“Të gjitha grupet e gjakut janë të kërkuara, por kuptohet që ato që janë më të shpeshta në popullatë janë edhe më të kërkuara nga pacientët. Për shembull, grupi 0 pozitiv është më i përhapuri, prandaj edhe më i kërkuari”, tregoi ajo përKP.
Në mesin e dhuruesve ishin edhe qytetarë që këtë veprim e konsiderojnë si një obligim moral dhe njerëzor.
Valdete Idrizi, qytetare, u shpreh se ndihet mirënjohëse për shëndetin që ka dhe se dhurimi i gjakut është minimumi që mund të bëjë për të ndihmuar dikë tjetër.
“Është ndjenjë e mirë. Së pari jam falënderuese që kam shëndetin. Dhuro gjak, shpëto jetë. Ndihesh mirë kur e di që gjaku yt mund të ndihmojë dikë dhe eventualisht edhe me i shpëtu jetën”, tha ajo.
Aksioni për dhurimin e gjakut nisi në orën 12:00 dhe vazhdoi deri në ora 15:00.