Tudor nuk bind, te Juventusi dalin emrat e tre kandidatëve për të marrë drejtimin e bardhezinjve

- Bota Sot

Tudor nuk bind, te Juventusi dalin emrat e tre kandidatëve për të marrë drejtimin e bardhezinjve

Starti i sezonit për Juventusin ka konfirmuar edhe një herë se problemet e vitit të kaluar të bardhezinjve nuk janë zgjidhur dhe që tani në klubin bardhezi ka filluar të mendohet për të ardhmen pa Igor Tudor.

Klubi konfirmoi teknikun gjatë verës, por me sa duket ndryshimet e pritura prej tij nuk kanë ndodhur, ndaj në mediat italiane kanë filluar të qarkullojë emrat e kandidatëve potencialë për të marrë drejtimin e skuadrës.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, i pari në listë është Luçiano Spaleti, i cili do të dëshironte shumë të kthehej në një klub të madh me rol protagonisti në Serinë A, pas dështimit epik me Italinë. Kostoja financiare e afrimit të tij gjithsesi do të ishte problematike për Juventusin, pasi bardhezinjtë kanë ende në listën e pagave edhe Tiago Motën.

I njëjti diskutim për Roberto Mançinin, i cili nuk e ka fshehur që është një tifoz i bardhezinjve. Por tifozët e kësaj skuadre nuk e duan, duke kujtuar të kaluarën e tij zikaltër dhe polemikat e atyre viteve.

Në fund, në listë është opsioni më ekonomik, Rafaele Paladino, në pritje të një ftese nga një klub i madh, pasi ka treguar në vitet e fundit se është një trajner i perspektivës.

Vendimi nuk pritet të vonojë shumë, pasi javët e ardhshme janë testi i vërtetë për Tudor, duke filluar nga ndeshja e Ligës së Kampioneve përballë Realit, ku i kërkohet që të paktën ekipi të tregojë lojë ndaj madrilenëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot