Tornado e fuqishme në Francë, një i vdekur dhe katër të plagosur rëndë

- Bota Sot

Tornado e fuqishme në Francë, një i vdekur dhe katër të plagosur rëndë

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë në gjendje kritike pasi një tornado e fuqishme ka goditur rajonin e Ermont, në Val-d’Oise, në veri të Parisit, të hënën.

Sipas prefekturës, era e fortë që goditi rajonin rreth orës 17:45 ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Në vendngjarje u mobilizuan 80 zjarrfikës, 50 policë dhe 20 anëtarë të shërbimit të urgjencës mjekësore (Samu).

“Tani për tani kemi një person të vdekur, katër në urgjencë absolute dhe pesë në urgjencë relative,” njoftoi prefektura, duke shtuar se disa vinça janë rrëzuar dhe çati janë shkëputur.

Në video të publikuara në rrjetet sociale shihen çati të rrënuara, pemë të shkulura dhe rrugë të mbuluara me degë e mbeturina të tjera të fluturuara nga era.

Sipas Le Parisien, një vinç është rrëzuar mbi institutin medico-arsimor “Clos-Fleuri”. Edhe qytetet Eaubonne dhe Franconville janë prekur nga era e fuqishme.

“Pas një episodi të shkurtër, por shumë të dhunshëm stuhie, shumë pemë janë rrëzuar,” shkroi komuna e Ermont, duke theksuar se ekipet teknike dhe policia po punojnë për të siguruar dhe pastruar zonat e prekura.

Në një tjetër njoftim, komuna e Eaubonne tha se “një tornado sapo ka kaluar pranë spitalit dhe lagjes Luat. Të gjitha forcat e emergjencës dhe policisë janë mobilizuar.” Parqet dhe kopshtet janë mbyllur deri në një njoftim të ri, ndërsa pritet që të shpallet gjendja e katastrofës natyrore.

Presidentja e rajonit Île-de-France, Valérie Pécresse, shprehu “mendimet për banorët e Val-d’Oise, viktima të një tornadoje të dhunshme” dhe deklaroi se rajoni do të mbështesë komunat e prekura, shkruan media franceze Le Figaro.

Tornadoja e fundit me pasoja vdekjeprurëse në Francë ishte më 3 gusht 2008 në Hautmont, ku humbën jetën tre persona dhe 18 u plagosën rëndë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot