Analisti Idaver Sherifi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka ngritur dyshime serioze mbi transparencën e projektit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke aluduar për përfshirje të interesave ruse përmes biznesmenit Behgjet Pacolli.
Sipas Sherifit, që në vitin 2021, kur u nënshkrua kontrata koncesionare me kompaninë e Pacollit, ka pasur pikëpyetje mbi origjinën e kapitalit të përdorur dhe destinacionin e mundshëm të përfitimeve.
“Që në momentin e lidhjes së kontratës me Pacollin ka pasur dyshime. Ai e ka vendosur pasurinë në Rusi dhe Kazakistan. Ky dyshim ka qenë që në fillim,” deklaroi Sherifi.
Ai shtoi se aktiviteti ekonomik i Pacollit është i përqendruar kryesisht në Kazakistan, një shtet me lidhje të ngushta me Rusinë, ndërsa strukturat e tij në Zvicër janë më shumë formale.
“Zyrat e kompanive të tij në Zvicër janë minimale, nga 20 metra katrorë. Gjithë aktiviteti real ndodhet në Kazakistan,” tha Sherifi, duke ngritur dyshime për rrezikun e përfshirjes së ndikimeve ruse në projekte strategjike shqiptare.