Juventus po kalon një moment të vështirë. Pas gjashtë ndeshjeve pa fitore dhe humbjes befasuese ndaj Komos, skuadra duket e demoralizuar, ndërsa sfidat e ardhshme bëhen gjithnjë e më vendimtare.Igor Tudor, trajneri kroat, përballet jo vetëm me kritikat e mediave dhe tifozëve, por edhe me presionin e brendshëm të klubit. Raporti mes Tudorit dhe drejtorit të përgjithshëm Damien Komoli po tensionohet.
Komoli ka kërkuar sqarime për zgjedhjet taktike dhe ka sugjeruar ndryshime, përfshirë mbrojtjen me katër lojtarë, por Tudor mbetet i vendosur të ndjekë filozofinë e tij të lojës. Muaji i ardhshëm do të jetë vendimtar.
Me sfidat kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve, Lacios, Udineses, Sportingut dhe derbin kundër Torinos, çdo rezultat do të ndikojë në fatin e tij.
Skuadra duhet të rikthejë besimin dhe performancën, në të kundërt, çdo presion do të shtohet. Drejtuesit po shqyrtojnë opsionet për të ardhmen e stolit. Alternativa të brendshme dhe të huaja janë në diskutim. Emra të njohur si Luçiano Spaleti dhe Roberto Mançini janë përfolur nga mediat, ndërsa profile më të rinj, si Rafaele Paladino, po konsiderohen si zgjidhje potenciale.
Pavarësisht kësaj, Juventus duket e orientuar të mbështesë Tudorin për të shmangur ndryshime të parakohshme. Trajneri ka mundësi të korrigjojë gabimet dhe të rikthejë skuadrën në rrugën e duhur, por koha po shkon kundër tij. Në çdo rast, sfidat e ardhshme do të jenë test i qartë për kapacitetin e tij dhe vizionin e klubit.