Sulm i armatosur ndaj turistëve shqiptarë në Bavari – Policia jep detaje

- Bota Sot

Sulm i armatosur ndaj turistëve shqiptarë në Bavari – Policia jep detaje

Grabitesit kanë ndaluar një autobus turistik në Bavari dhe më pas kanë grabitur pasagjerët! Ngjarja e pazakontë ka ndodhur rreth orës 3:40 të natës së së hënës në autostradën 93 në rrethin Kelheim.

Sipas informatave të BILD, tre të dyshuarit kanë detyruar minibusin me dhjetë pasagjerë dhe një shofer që të zbresë nga autostrada në dalje Aiglsbach (Bavari) dhe të ndalojë në një parking për udhëtarët, duke përdorur sinjale drite.

Grabitesit kërkuan para dhe dokumente
Më pas, grabitesit zbritën nga makina e tyre dhe pretenduan se po bëjnë një kontroll në autobus. Por sipas policisë, burrat e armatosur kërkuan para dhe dokumente nga pasagjerët.

Policia njofton se askush nuk u lëndua gjatë grabitjes. Viktimat ishin shtetas shqiptarë. Nuk dihet saktësisht sa para kanë marrë grabitesit.

Kompania e autobusëve e quan rast të izoluar

“Pas grabitjes, të dyshuarit ikën me një makinë VW të bardhë drejt Mynihut,” tha një zëdhënës i policisë për BILD. Në makinën e grabitësve ishte një targë me shkurtesën WR për Wernigerode (Saksi-Anhalt).

Shoqata Bavareze e Kompanive të Autobusëve (LBO) njoftoi: “Raste të ngjashme nuk janë të njohura për ne, as në Bavari dhe as në të gjithë Gjermaninë. Kjo është një ngjarje e veçantë, dhe shkaqet do të hetohen nga autoritetet.”

Policia ende nuk ka gjetur makinën e grabitësve

BILD mësoi nga Prokuroria në Regensburg se autobusi vinte nga Barcelona dhe po udhëtonte për në Shqipëri përmes Cyrihut. Përveç parave dhe dokumenteve, nuk janë grabitur sende të tjera.

Kërkimi për mjetin e arratisjes nuk ka pasur rezultat deri tani. Policia nuk dha detaje të tjera edhe të martën. Policia kriminale në Landshut ka marrë rastin dhe kërkon informacione në numrin: 0871-92520.



Lexoni të gjitha në Bota Sot