Milani është rikthyer të jetë ai që dikur frikësonte çdo kundërshtar, me një ecuri mbresëlënëse nën drejtimin e trajnerit Masimiliano Alegri.Pas një fillimi të vakët, “Djajtë” duket se kanë gjetur ritmin e duhur dhe janë në rrugën për t’u rikthyer mes elitës së futbollit italian dhe europian.
Sekreti i këtij transformimi nuk qëndron në ndonjë formulë magjike, por në katër shtylla të qarta që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ringjalljen e kuqezinjve. Së pari, drejtuesit kanë vendosur t’i besojnë plotësisht Allegrit, duke i dhënë kohë dhe mbështetje për të ndërtuar një projekt të qëndrueshëm.
Ish-trajneri i Juventusit ka sjellë stabilitet në pankinë dhe ka krijuar një grup të bashkuar, me disiplinë dhe motivim. Së dyti, mbrojtja – dikur një nga hallkat më problematike – është përmirësuar ndjeshëm. Dyshja Gabia-Tomori ka rigjetur formën më të mirë, duke u kthyer në një garanci në prapavijë.
Siguria në mbrojtje ka ndikuar edhe në qetësinë e skuadrës në tërësi. Elementi i tretë është rikthimi i lojtarëve kyç. Më kryesori Rafael Leao, që kishte munguar gjatë për shkak dëmtimesh dhe formës së dobët, ka gjetur rrugën e rrjetës në “San Siro” pas afro 500 ditësh.
Me Alegrin në stol, portugezi duket më i motivuar, më i përfshirë dhe më vendimtar në ndeshjet e rëndësishme. Së fundmi, fryma e skuadrës është transformuar. Lojtarët janë të gatshëm të luftojnë për çdo top, me një shpirt sakrifice që nuk shihej prej kohësh.