Capello sherr me Conten pas humbjes së rëndë në Eindhoven

- Bota Sot

Capello sherr me Conten pas humbjes së rëndë në Eindhoven

Një mbrëmje për t’u harruar për Napolin në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e Antonio Contes u shkatërrua 6:2 në Eindhoven nga PSV, duke u larguar nga fusha e lojës e tronditur dhe pa identitet.

Në studiot e Sky Sport, Fabio Capello nuk kurseu kritikat, duke dhënë një analizë të ashpër për paraqitjen e napolitanëve.

“E filluan mirë, por më pas u mposhtën nga dinamizmi i PSV-së. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte mungesa e ritmit. Napoli nuk sulmoi, nuk reagoi në mbrojtje, një skuadër pa zemër.”

Ish-trajneri i Romës dhe Juventusit u ndal edhe te qëndrimi i pazakontë i Contes në pankinë: “Ishte tronditëse të shihje një Napoli kaq të brishtë, veçanërisht kur drejtohet nga një trajner si Conte, i njohur për vendosmërinë dhe karakterin e fortë të tij. Sot pashë një Antonio të heshtur, të dorëzuar që në fillim. Nuk e kisha parë kurrë kështu. PSV luante me dyfishin e energjisë krahasuar me Napolin.”

Capello shtoi edhe një kritikë të fortë ndaj mentalitetit të skuadrës: “Nuk shoh as dëshirë, as vendosmëri. Më çudit fakti që as Conte nuk reagoi.

Nuk e pashë të zemëruar apo të përfshirë si zakonisht, edhe pse lojtarët e tij nuk vraponin. Ky është një sinjal alarmi serioz.

Napoli ka humbur tashmë katër ndeshje këtë sezon, dhe diçka nuk shkon as në fushë, as në pankinë.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot