Ceferin projekton një format si Championsi për kualifikueset e Botërorit dhe Europianit

- Bota Sot

Ceferin projekton një format si Championsi për kualifikueset e Botërorit dhe Europianit

UEFA po shqyrton mundësinë për të ndryshuar mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror dhe Europianin.

Sipas mediave ndërkombëtare, ndër idetë e diskutuara është edhe aplikimi i një sistemi të ngjashëm me atë të Champions League, ku një algoritëm do të përcaktonte kundërshtarët e çdo kombëtareje dhe në fund do të krijohej një renditje unike për të gjitha skuadrat.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e konfirmoi këtë në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild: “Nuk mendoj se format i Kampionatit Europian do të ndryshojë, do të mbeten 24 skuadra me fazë grupesh dhe eliminime direkte, por ndeshjet kualifikuese mund të jenë ndryshe.

Nuk do të ketë më shumë ndeshje, por formati do të jetë më interesant. Po e shqyrtojmë me kujdes këtë mundësi.”

Sipas Bild, ideja u propozua nga një përfaqësues anglez gjatë një takimi të mbajtur në Malaga, dhe nëse miratohet, sistemi i ri mund të hyjë në fuqi nga viti 2028, pra pas Europianit të ardhshëm, duke u zbatuar për kualifikueset e Botërorit 2030.

Komisioni i Garave për Kombëtaret i UEFA-s po punon së bashku me një grup ekspertësh për të analizuar të gjitha opsionet, ndërsa mbledhja vendimtare pritet të mbahet po këtë muaj. Objektivi është që më 3 dhjetor, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të prezantohen në mënyrë të detajuar propozimet për formatin e ri të kualifikueseve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot