16 viktima në Lisbonë, bordi i kompanisë së transportit publik jep dorëheqjen

- Bota Sot

16 viktima në Lisbonë, bordi i kompanisë së transportit publik jep dorëheqjen

Bordi i drejtorëve të kompanisë portugeze të transportit urban Carris, ka dhënë dorëheqjen lidhur me aksidentin me 16 viktima që u regjistrua në shtator në Lisbonë. Dorëheqja e tyre vjen dy ditë pas publikimit të një raporti ku tregoheshin shkaqet e daljes nga shinat të teleferikut që mori jetën e 16 personave.

Bashkia e Lisbonës njoftoi se presidenti i kompanisë Carris, Pedro Bogas dhe i gjithë bordi i drejtorëve kanë dhënë dorëheqjen. Sipas Bordit Portugez të Hetimit të Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore (GPIAAF), dalja nga shinat u shkaktua kur një kabllo që lidhte dy vagonët e teleferikut u këput.

Raporti paraprak, i publikuar të hënën, thekson se kablloja nuk i plotësonte specifikimet e përcaktuara nga Carris, e cila ia kishte dhënë punën e mirëmbajtjes një nënkontraktori.

Edhe pse të dhënat tregojnë se janë kryer punime mirëmbajtjeje, hetuesit kanë mbledhur prova që sugjerojnë se puna nuk korrespondonte me atë që ishte kryer në të vërtetë. Në pritje të raportit përfundimtar, ata rekomanduan që tre teleferikët në kryeqytetin portugez të mbeten të palëvizshëm për t’u siguruar që kanë sisteme frenimi dhe mekanizma sigurie për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot