Dy ndeshje të kupave evropiane që duhej të zhvilloheshin në Holandë janë shtyrë për orare më të hershme për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Autoritetet holandeze kanë shpallur një alarm moti që nga ora 14:00, për shkak të afrimit të stuhisë “Benjamin”, ndërsa UEFA ka vendosur të ndryshojë oraret e fillimit të ndeshjeve “për të garantuar sigurinë”.
Ndeshja Feyenoord- Panathinaikos, që ishte planifikuar të luhej në Rotterdam në orën 18:45, do të zhvillohet tashmë në orën 16:30.
Ndërkohë, sfida e Conference League midis AZ Alkmaar dhe Slovan Bratislava, e parashikuar fillimisht për në orën 21:00, është zhvendosur në orën 18:45.
Vendimi është marrë në bashkëpunim midis UEFA-s, autoriteteve lokale dhe klubeve për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për tifozët dhe pjesëmarrësit në ndeshje.