Afati kalimtar i dimrit pritet të sjellë lëvizje të rëndësishme në repartin e mbrojtjes.
Sipas mediave gjermane, Liverpool ka ndryshuar strategji dhe tani e sheh Dayot Upamecano të Bayern Munich si alternativën e parë nëse nuk arrin të sigurojë Marc Guehi nga Crystal Palace.
Në verë, “The Reds” ishin shumë pranë firmës me mbrojtësin anglez, por Crystal Palace refuzoi ofertën prej 35 milionë paundësh, duke e mbajtur futbollistin në “Selhurst Park”.
Megjithatë, me kontratën e tij që skadon në verën e vitit 2026, Guehi tashmë ka bërë të ditur dëshirën për të provuar një aventurë të re, dhe klubi londinez mund ta shesë që në janar, për të shmangur largimin me parametër zero më vonë.
Në këtë situatë, Liverpool mbetet favorit për firmën e Guehi-t, sidomos pas dëmtimit të rëndë të Leoni-t, por vëmendja është zhvendosur edhe te Upamecano, i cili mund të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit.
Sipas BILD, mbrojtësi francez, që është pjesë e bavarezëve prej më shumë se tetë vitesh, nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës, e cila skadon më 30 qershor.
Bisedimet janë në ngërç, pasi lojtari kërkon një pagë rreth 16 milionë euro në vit, plus bonus në firmë, duke u bazuar në kontratën e re që Bayern i ka garantuar Alphonso Davies (17 milionë euro).
Interesimi për Upamecanon nuk vjen vetëm nga Liverpooli. Interi, Real Madridi dhe Chelsea po monitorojnë nga afër situatën e tij, duke pritur çdo hap të gabuar në negociatat me Bayernin.