Barcelona nuk do ta ketë trajnerin Hansi Flick në pankinë për ndeshjen e fundjavës kundër Real Madridit në “El Clasico”, pasi është konfirmuar se përpjekjet e klubit për ta pasur atë në dispozicion në “Santiago Bernabeu” kanë dështuar.
Flick u përjashtua nga gjyqtari Jesus Gil gjatë fitores 2-1 të Barcelonës ndaj Gironas fundjavën e kaluar, pasi mori dy kartonë të verdhë.
Klubi kishte dorëzuar një ankesë kundër vendimit, por Komisioni Disiplinor vendosi se përjashtimi ishte i drejtë dhe i dha atij një ndeshje pezullim.
Barcelona më pas dorëzoi një ankesë të re në Komisionin e Apelit, por sipas “Mundo Deportivo”, edhe kjo është refuzuar. Si pasojë, Flick do të jetë i ndaluar të drejtojë nga pankina, që do të thotë se do ta ndjekë “El Clasicon” nga tribuna, përveç nëse klubi vendos të bëjë një ankesë të fundit në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS).
Natyrisht, Barcelona do të jetë shumë e zhgënjyer që nuk e ka Flick në pankinë në Bernabeu, aty ku sezonin e kaluar fitoi 0-4. Në mungesë të tij, ndihmëstrajneri Marcus Sorg do të marrë drejtimin e skuadrës, një rol që e kishte marrë edhe dy herë sezonin e kaluar, ndaj Leganes dhe Atletico Madridit.
Megjithatë, kjo është shqetësuese për Barcelonën, pasi humbën të dyja ato ndeshje (0-1 ndaj Leganes dhe 1-2 ndaj Atleticos), duke treguar se mungesa e Flick-ut në pankinë është një disavantazh i madh për ekipin.
Sidoqoftë, në klub mbizotëron besimi se skuadra mund të arrijë rezultat pozitiv edhe nën drejtimin e Sorgut.
Tani mbetet për t’u parë nëse Barcelona do ta çojë çështjen në CAS, por klubi ka afat deri të premten në orën 12:00 për ta bërë këtë. Nëse vendoset që nuk do të ketë më apelime, atëherë Flick do të jetë në tribuna të dielën pasdite.