Pas fitores së thellë në Champions League ndaj Royale Union SG, Interi rikthehet në kampionat me një përballje të madhe në “Maradona” ndaj Napolit.
Zikaltrit, që vijnë pas katër fitoreve radhazi në Serie A kundër Sassuolos, Cagliarit, Cremoneses dhe Romës, synojnë një tjetër sukses për të qëndruar në garë për titull.
Në konferencën për shtypin, trajneri Cristian Chivu e vlerësoi maksimalisht rëndësinë e ndeshjes, por kërkoi edhe qetësi dhe përqendrim nga skuadra e tij.
“Do të përballen kampionët e Italisë me nënkampionët e Italisë.
Ka rivalitet dhe ambicie shumë të larta,” – deklaroi Chivu. – “Do të jetë një ndeshje e luftuar, ku të dyja ekipet do të kërkojnë të imponohen dhe të marrin rezultatin. Luajmë për shumë, por jo për gjithçka.
Duhet të jemi të përgatitur dhe të tregojmë identitetin tonë në fushë.”
Tekniku rumun komentoi edhe për ditën e pushimit që u dha lojtarëve pas angazhimeve të shumta të javëve të fundit:
“Pas kaq shumë ndeshjesh të ngjeshura, ishte e drejtë që skuadra të shkëputej për një ditë. Kam besim të plotë te lojtarët e mi, e di që janë profesionistë dhe do të përgjigjen në mënyrën e duhur.”
Së fundi, Chivu u pyet edhe për mundësinë që ndeshja mes Milanit dhe Comos të luhet në Perth të Australisë, një çështje që ka ngjallur diskutime në Itali.
“Unë nuk ankohem kurrë,” – u përgjigj trajneri i Interit. – “Janë mundësi për të treguar se jemi profesionistë dhe se futbolli modern kërkon fleksibilitet dhe përkushtim.”
Interi do të zbresë në fushë të dielën me synimin për të marrë një fitore që mund të ketë peshë të madhe në garën për titullin.