Sermaxhaj: Morëm masat për të penguar Turqinë të luante lojën e saj, por nuk ia arritëm

- Bota Sot

Sermaxhaj: Morëm masat për të penguar Turqinë të luante lojën e saj, por nuk ia arritëm

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Kombëtarja e Turqisë, me rezultat 0:4 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të "play-off"-it të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Dardanet nuk arritën ti bëjnë ballë kombëtares turke, e cila ishte mjaft e organizuar dhe që tregoi shpejtësi dhe efektivitet, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Mysafiret nga Turqia arritën epërsinë që në fillim të ndeshjes, me dy gola të shpejtë të Kader Hançar në minutat 5 dhe 10, ndërsa Melike Pekel shtoi golin e tretë në minutën e 23-të. Rezultatin përfundimtar 4:0 e vulosi Busem Şeker në minutën e 81-të.

Kombëtarja më e suksesshme pas dy ndeshjeve luan në Ligën B në edicionin e ardhshëm, ndërsa kombëtarja humbëse luan në Ligën C.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova ishte në Ligën C, që është niveli i tretë. Përfundoi e dyta në grup, pas Letonisë dhe para Maqedonisë së Veriut. Si e dyta në grup siguroi “play-off”-in. Turqia ishte e treta në grup në Ligën B të Ligës së Kombeve. Mbeti prapa Sllovenisë e Irlandës, ndërsa la prapa Greqinë.

Sipas përzgjedhësit Sami Sermaxhaj, Turqia ishte një ekip i fortë dhe Kosova nuk arriti t’i pamundësonte lojën e saj:

“E kemi vlerësuar që do të ishte një ndeshje e vështirë.

Morëm masat për të penguar Turqinë të luante lojën e saj, por nuk ia arritëm qëllimit.

Lojtaret e Turqisë ishin më të shpejta, si në organizimin e sulmit ashtu edhe në finalizim. Pjesa e parë ishte shumë e vështirë,

Turqia ka një ekip më të komponuar dhe më të pjekur. Edhe ne nuk arritëm nivelin e pritjeve dhe përgatitjeve, por futbolli ka këso rezultate.

Tani ky rezultat është i vështirë për t’u rikuperuar, por ideja është të analizojmë performancën dhe të ndërtojmë diçka më të qëndrueshme në të ardhmen”, tha Sermaxhaj.

Nga ana tjetër, futbollistja Blerta Smaili pohoi se Kosova kishte mundësi të bënte më shumë, por ishte e vështirë të gjente rrugën e duhur përballë një kundërshtari të konsoliduar:

“Mendoj që sot nuk kemi luajtur siç kemi ushtruar dhe siç kemi pasur plan.

Pjesa e parë ka qenë problematike, por në pjesën e dytë treguam një Kosovë tjetër.

Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës për tu treguar edhe tifozëve se kjo nuk është Kosova jonë e vërtetë.

Futbolli ka këso surpriza, por besoj se kemi kapacitet dhe shpresojmë për rezultat pozitiv”, theksoi Smaili.

Ndeshjen e sotme e kanë ndjekur nga afër presidenti i FFK-së, Agim Ademi, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe anëtari i KE të Federatës turke, Mustafa Temel Bozbağ.

Ndeshjen e kthimit Kosova e zhvillon më 28 tetor në Izmir.
 



Lexoni të gjitha në Bota Sot