Partizani B ka nisur sezonin në Kategorinë e Dytë me ritëm perfekt: tre fitore në tre ndeshje dhe golaverazh 11-0.
Projekti i rikthimit të ekipit B po funksionon si një laborator i së ardhmes, ku lojtarë nga akademia dhe futbollistë të afirmuar kërkojnë hapin drejt skuadrës së parë.
Ndër ta është edhe 27-vjeçari Marjo Kola, i ardhur këtë verë nga Erzeni.
Mbrojtësi i djathtë shënoi golin e avantazhit në fitoren 5-0 ndaj Devollit dhe vlerëson karakterin e skuadrës.
“Tri pikë shumë të rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh se luajtëm për 45 minuta me një lojtar më pak. Grupi është i fortë dhe po rritemi nga ndeshja në ndeshje.
E njohim mirë njëri-tjetrin, ndërsa trajneri Kërnaja ka krijuar një ekip që di çfarë kërkon në fushë,” u shpreh Kola për “Panorama Sport”.
Synimi i tij është i qartë: “Jam këtu për të punuar fort që të vijë dita të jem pjesë e Partizanit A. Dua të rris kilometrazhin dhe nivelin tim. Besoj se shumë prej nesh mund të japim kontribut edhe në elitë.” Sa i përket sfidës së radhës ndaj Maliqit, mbrojtësi i kuq deklaroi:
“Transfertë e vështirë, por kemi cilësi dhe vetëbesim për të marrë rezultat.” Partizani B vazhdon marshimin, me sytë te ngjitja një kategori më lart dhe furnizimi i ekipit të parë me lojtarë të gatshëm për elitën.