Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia ka testuar me sukses raketën kruz “Burevestnik”, e cila sipas tij, përdor një motor bërthamor. Raketa funksionon me reaktor bërthamor dhe në varësi të dizajnit, mund të lëshojë mbeturina radioaktive gjatë fluturimit.
Gjatë fundjavës, gjenerali i lartë rus, Valery Gerasimov, raportoi Putinit se raketa kishte përshkuar 14 mijë km (8 mijë e 700 milje) dhe kishte qëndruar në ajër për rreth 15 orë gjatë testit të kryer më 21 tetor. NATO e ka koduar Burevestnik si SSC-X-9 Skyfall. Rusia ka kërcënuar rregullisht se lufta në Ukrainë mund të marrë dimensione bërthamore, veçanërisht në rast se aleatët e Ukrainës përfshihen në betejë ose i ofrojnë armë me rreze të gjatë veprimi.
Një aksident i madh bërthamor në gusht 2019 shkaktoi vdekjen e pesë shkencëtarëve rusë, të dyshuar se punonin mbi Burevestnik ose një projekt të ngjashëm. Incidenti shkaktoi përhapje të rrezatimit në zonat përreth. Në nëntor të po atij viti, duke dhënë dekorata postume për familjet e viktimave, Putin e përshkroi punën e tyre si të lidhur me një “armë të pakrahasueshme”.
Ndërkohë, dronët ukrainas detyruan mbylljen e aeroportit Domodedovo dhe aeroportit më të vogël Zhukovsky në Moskë, njoftuan autoritetet ruse të hënën në mëngjes. Njësitë e mbrojtjes ruse shkatërruan 28 dronë nga nata e së dielës deri në mëngjesin e së hënës, sipas kryebashkiakut të kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin. Nuk ka informacion për dëme materiale.
Rusia rrallë publikon shkallën e plotë të dëmeve nga sulmet ukrainase brenda territorit të saj, përveç kur preken objekte civile. Nuk pati komente të menjëhershme nga Ukraina, e cila ka thënë se sulmet e saj synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kyçe për përpjekjet e luftës së Moskës.
Sanksionet e SHBA ndaj industrisë naftës ruse patën efekt të menjëhershëm, shkruan Jill Ambrose. Brenda pak orësh, çmimi global i naftës u rrit me 6% dhe u raportua një ndalim i menjëhershëm i furnizimeve të naftës ruse për rafineritë më të mëdha në Indi, klientin kryesor të Moskës, dhe për kompanitë shtetërore më të mëdha të Kinës.
Analisti Luke Wickenden nga Qendra për Kërkimin mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (Crea) tha: Nëse Moska humbet aksesin në këto tregje, mund të humbasë rreth 7.4 miliardë dollarë të ardhura mujore, që përkthehet në rreth 3.6 miliardë dollarë taksa që shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e luftës së Kremlinit… Nëse vetëm India do të reduktojë importet e naftës ruse, Kremlini mund të humbasë rreth 1.6 miliardë dollarë të ardhura mujore nga taksat.
Dërguari ekonomik i lartë i Putinit ka përpjekur të fajësojë të tjerët pas ftohjes së marrëdhënieve SHBA-Rusi, vendosjes së sanksioneve dhe anulimit nga Donald Trump të një takimi të paralajmëruar në Budapest me presidentin rus. Kirill Dmitriev deklaroi se kishte pasur “përpjekje titanike” për të penguar dialogun SHBA-Rusi, ndërsa mbërriti në SHBA për të takuar anëtarë të administratës Trump.
Fillimisht, Trump pati një vlerësim pozitiv të bisedës së tij të fundit me Putinin dhe tha se do të takohej me të në Budapest. Por disa ditë më vonë, pasi Putin nuk dha shenja për të bërë kompromise për të përfunduar luftën, Trump e quajti takimin një “humbje kohe” dhe shprehu zhgënjimin personal ndaj presidentit rus.