Real Madrid ka konfirmuar se do të apelojë kartonin e kuq që iu dha portierit rezervë Andriy Lunin në momentet e fundit të fitores 2-1 ndaj Barcelonës në “El Clasico”.
Lunin u përjashtua nga loja gjatë një përplasjeje të ashpër pas ndeshjes, ndërsa po mbronte shokun e skuadrës, Vinicius Junior. Sipas raportimeve të The Athletic, drejtuesit e Realit nuk e kanë kuptuar vendimin e gjyqtarit dhe kanë nisur përgatitjen e një ankese zyrtare.
Kaosi nisi pasi mesfushori i Barcelonës, Pedri, mori kartonin e dytë të verdhë në fundin e ndeshjes, duke shkaktuar tension mes dy skuadrave pranë stolave. Situata u përshkallëzua kur lojtarët e të dyja ekipeve u përballën fizikisht.
Vinicius Junior ishte një nga më të përfshirët, pasi u përball me Lamine Yamal – i cili sipas mediave spanjolle kishte bërë komente provokuese përpara ndeshjes. Katër anëtarë të stafit të Real Madrid ndërhynë për ta qetësuar Viniciusin, por pavarësisht kësaj, arbitri vendosi të përjashtonte edhe portierin Lunin për rolin e tij në përleshje.
Real Madrid synon ta apelojë vendimin, duke argumentuar se Lunin nuk mori pjesë në konfrontim, por vetëm u përpoq të ndante lojtarët dhe të mbronte shokët e tij të skuadrës.