Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren i ka bërë një propozim të veçantë Komunës së Prizrenit.
Me iniciativën e kryetarit të LRFP-së, Mirsad Çollakut, është propozuar realizimi i një murali për sulmuesin e kombëtares së Kosovës dhe Mallorcas, Vedat Muriqit.
Kjo është komunikata e plotë e LRFP-së:
“Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren me iniciativën e kryetarit z. Mirsad Çollaku, propozon Komunës së Prizrenit, konkretisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), për realizimin e një portreti mural në nder të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.
Ky propozim synon të vendosë një vepër artistike publike në zemër të qytetit, si simbol i krenarisë lokale dhe frymëzim për brezat e rinj. Vedat Muriqi, lindur në Prizren, është shembulli më i mirë i suksesit të arritur përmes përkushtimit, kulturës dhe punës së palodhur. Ai ka arritur majat e futbollit ndërkombëtar, duke mbajtur me dinjitet fanellën e Kosovës dhe duke përfaqësuar qytetin e tij me krenari.
Një mural për Vedatin nuk është vetëm një nder për të si individ, por një mesazh i fuqishëm për të gjithë të rinjtë tanë që ëndrrat janë të arritshme, ai është një model i jashtëzakonshëm që meriton të jetë pjesë e peizazhit kulturor të Prizrenit.
Lidhja Rajonale e Futbollit shpreson që Komuna e Prizrenit dhe DKRS ta marrin në konsideratë këtë nismë dhe të bashkëpunojnë sëbashku për të gjetur një lokacion të përshtatshëm në qendër të qytetit, ku kjo vepër të mund të realizohet dhe të lansohet në një të ardhme të afërt”, thuhet në komunikatë.
Vedat Muriqi është lindur dhe është rritur në qytetin e Prizrenit, aty edhe ku i mori hapat e parë në karrierën e tij futbollistike.
Muriqi doli nga futbolli i Kosovës, më konkretisht nga Liria, në drejtim të Shqipërisë, e më pas u paraqit edhe në Turqi – madje te Fenerbahçe – para kalimit te Lazio në Serie A e deri te Mallorca, ku luan aktualisht.
Muriqi po ashtu edhe golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares së Kosovës, me 32 gola të shënuar.