Dy ditë shqiptare në Moosburg: Kulturë, kujtesë dhe traditë

- Bota Sot

Dy ditë shqiptare në Moosburg: Kulturë, kujtesë dhe traditë

Moosburg, Gjermani – Në qytetin e Moosburgut u mbajtën “Dy Ditë Shqiptare”, një aktivitet tashmë tradicional i mërgatës shqiptare në Bavari, i organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Gjermane “Bekim Berisha – ABEJA”. Këto ngjarje kulturore e atdhetare mblodhën dhjetëra bashkatdhetarë, intelektualë dhe familjarë nga qytete të ndryshme të Gjermanisë.

Të pranishëm në aktivitet ishin konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, z. Afrim Nura, si dhe kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, i cili mori pjesë si mysafir nderi me ftesë të shoqatës. Po ashtu, ngjarjen e nderuan kryetari i qytetit të Moosburgut, z. Josef Dollinger, dhe kryetari i Bruckbergut, z. Rudolf Radelmaier, me bashkëshortet e tyre.

Dita e parë iu kushtua kujtesës historike, përmes një ekspozite dokumentare me fotografi, libra dhe dëshmi autentike mbi krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Në kuadër të këtij programi u promovua edhe libri i autorit Adem Lushaj, i cili trajton me fakte dhe dëshmi krimet e kryera në Deçan dhe Junik gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atmosfera ishte reflektuese dhe emocionale, duke rikujtuar sakrificën për liri dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës kombëtare.

Në ditën e dytë u mbajt darka tradicionale e lamës, një mbrëmje festive që bashkoi komunitetin shqiptar në frymën e mikpritjes, kulturës dhe dashurisë për atdheun. Programi artistik përfshiu poezi, monologje dhe këngë kushtuar vendlindjes, ndërsa sofrat u mbushën me gatime tradicionale të përgatitura nga anëtaret e shoqatës.

Sharm të jashtëzakonshëm programit i dhanë nxënësit e Shkollës Shqipe në Moosburg dhe aktivistët e Shoqatës, të cilët sollën interpretime plot emocion e dashuri për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Prania e tyre u mirëprit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës “ABEJA”, z. Faton Ismaili, falënderoi të pranishmit për mbështetjen e tyre dhe theksoi përkushtimin e shoqatës për të qenë urë lidhëse mes diasporës dhe atdheut.

“Dy Ditët Shqiptare në Moosburg” dëshmuan se mërgata shqiptare jo vetëm që e ruan me krenari identitetin kombëtar, por edhe kontribuon fuqishëm në përhapjen e vlerave kulturore, humane dhe historike të popullit shqiptar në Gjermani.

Në përmbyllje të aktivitetit, Shoqata “Bekim Berisha – ABEJA” ndau tri mirënjohje për kontribut të veçantë në fushën e kulturës, kujtesës dhe humanizmit:

Një mirënjohje iu dha kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, për bashkëpunim dhe përkrahje të vazhdueshme ndaj aktiviteteve të diasporës shqiptare në Gjermani;

Një mirënjohje iu dorëzua autoritetit dhe publicistit Adem Lushaj, për kontributin e tij në dokumentimin e krimeve të luftës në Deçan e Junik dhe ruajtjen e kujtesës historike kombëtare;

Mirënjohja e tretë iu dha Shoqatës “For New Life Kosova”, për angazhimin humanitar dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj familjeve në nevojë në Kosovë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot