Liburn Aliu, ish-ministri i Kosovës në qeverinë e Albin Kurtit, është prezantuar ditën e sotme si drejtori i ri i Portit të Durrësit.
Liburn Aliu u emërua në vend të Kreshnik Bajraktari, i cili mbante postin prejt muajit korrik 2024, me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky i fundit gjatë fjalës së tij u shpreh se i uronte suksese në detyrën e tij Liburn Aliut, duke shtuar se “nën drejtimin e tij Porti i Durrësit do të vazhdojë me ritme të larta rrugën e zhvillimit”.
“I uroj suksese në detyrën e re, jam i sigurt që nën drejtimin e tij, Porti i Durrësit do të vazhdojë me ritme të larta rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të tij”, tha Kreshnik Bajraktari.
Pas tij e mori fjalën ish-ministri Aliu, i cili theksoi se është e nevojshme që Porti i Durrësit të modernizohet dhe që Maqedonia e Kosova të shihen si pika ku mallrat do të shpërndahen në gjithë rajonin.
“Mua këtu më shihni mbase si të Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë, nuk është e lehtë, por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë”, theksoi Liburn Aliu.
Liburn Aliu: Jam i nderuar që jam sot këtu, i nderuar nga qeveria shqiptare, për një detyrë që më është dhëne besuar, është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit është porti i gjithë shqiptarëve. Është e domosdoshme që ky port të modernizohet dhe të jetë sfidues për gjithë rajonin, të shihen si Maqedonia e Kosova si pika ku mallrat do të shpërndahen në gjithë rajonin.
Kosova ka nevojë të ketë lidhje të forta me Portin e Durrësit dhe përmes saj të shpërndajë mallra në gjithë rajonin. Kjo mundësi e përhapjes së mallrave përmes Prishtinës dhe Shkupit, do të bënte që Porti i Durrësit të duhet të zgjerojë kapacitetet, kjo do ndihmonte që dy vendet, ajo ndërvarësi ti bëjë më të zhvilluara ekonomikisht dhe më të sigurta. Porti i Nato në Porto Romano do të ndihmojë për gjithë rajonin që të ketë siguri.
Është detyrë për ne që porti i NATO të zhvillohet dhe të ketë linjë hekurudhore e automobilistike në të gjithë rajonin, ndaj jam i nderuar. Mua këtu më shihni mbase si të Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë, nuk është e lehtë, por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe të kemi sukses.