Laporta takon Yamal dhe trajnerin Flick pas disfatës kundër Real Madridit

- Bota Sot

Laporta takon Yamal dhe trajnerin Flick pas disfatës kundër Real Madridit

Disfata në “El Clasico” ndaj Real Madridit ka lënë pas jo pak tension në kampin katalanas. Në qendër të polemikave është vendosur Lamine Yamal, i cili ndezi ndeshjen me një deklaratë të nxituar para sfidës, duke tërhequr më pas një valë kritikash nga mediat spanjolle dhe nga vetë futbollistët.

Reagimet nuk munguan as nga shokët e tij në Kombëtaren spanjolle, si Dani Carvajal, dhe as nga brenda klubit, ku Raphinha e pranoi se fjalët e Yamal “i motivuan më shumë lojtarët e Realit”. Në aspektin sportiv, humbja ndaj “Los Blancos” thelloi diferencën në +5 pikë dhe e përkeqësoi momentin e skuadrës, që ka pësuar tre disfata në pesë ndeshjet e fundit.

Për të ulur tensionin dhe për të treguar mbështetje ndaj skuadrës, presidenti Joan Laporta vizitoi kompleksin stërvitor të klubit ditën pas humbjes. Sipas gazetës Sport, Laporta arriti pas përfundimit të seancës stërvitore, ku gjeti vetëm Araujo dhe Yamal, të cilët përshëndeti personalisht përpara se të zhvillonte një bisedë të gjatë me trajnerin Hansi Flick dhe drejtorin sportiv Deco.

Burime të afërta me klubin bëjnë me dije se Laporta kërkoi të përcillte qartësi dhe qetësi, duke siguruar Flick për mbështetje të plotë nga drejtuesit dhe duke theksuar se diferenca prej 5 pikësh me Realin “nuk është dramatike”.

Në Champions, situata mbetet e qëndrueshme: pavarësisht humbjes me PSG-në, Barcelona ka grumbulluar 6 pikë në 3 ndeshje dhe mbetet në garë të plotë për kualifikim.

Presidenti shpreson që skuadra të reagojë menjëherë dhe të lërë pas tensionet, ndërsa e ardhmja e Yamal do të varet edhe nga mënyra si do ta përballojë këtë periudhë të vështirë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot