Milani përgatitet për një transfertë të vështirë në Bergamo, ku të kuqezinjtë do të përballen me Atalantën në një ndeshje me peshë të madhe për zonën e kreut.Barazimi i arritur në minutat e fundit ndaj Pizas në “San Siro” i kushtoi skuadrës vendin e parë, duke e bërë këtë sfidë edhe më të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Në konferencën e zakonshme të vigjiljes, trajneri Masimiliano Alegri analizoi momentin e skuadrës, gjendjen fizike të lojtarëve dhe objektivat që ekipi duhet të ndjekë për të ruajtur konkurrueshmërinë.
“Ndeshjet në këtë periudhë janë të gjitha të vështira,” deklaroi Alegri. “Kundër Pizas e komplikonim vetë situatën, por është e rëndësishme të qëndrojmë të kthjellët dhe të vazhdojmë rrugën tonë. Në Bergamo na pret një duel i ashpër, përballë një skuadre me intensitet dhe dinamizëm të lartë.”
Trajneri konfirmoi rikthimin e LoftusCheek, por situata e dëmtimeve mbetet ende delikate.
“Do t’i marrim lojtarët një e nga një. Shpresoj që pas pushimit të kemi grupin e plotë në dispozicion. Aktualisht duhet të menaxhojmë mirë forcat sepse rreziku i lëndimeve është i lartë.”
Sa i përket repartit ofensiv, Alegri u ndal te forma e Rafael Leaos dhe pritshmëritë për Santiago Himenez.
“Leao ka potencial për të shënuar 15- 20 gola në sezon. Po rritet dhe po kupton se duhet të jetë më vendimtar brenda zonës. Himenez nuk ka gjetur ende golin, por kjo mund të ndryshojë në çdo moment. Ai është sulmues me cilësi dhe do të na ndihmojë shumë.” Mes pritshmërive për zhvillimin e kampionatit, Alegri theksoi se gara është e hapur dhe do të vendoset nga vazhdimësia.
“Serie A këtë vit është shumë e ekuilibruar. Skuadrat në krye janë të afërta. Ne duhet të mbrohemi mirë, të ruajmë qetësinë dhe të përmirësojmë cilësinë e lojës, sidomos kur kemi topin.” Trajneri u pyet edhe për raportin me arbitrimin dhe rolin e VAR-it, çështje që shpesh hap debate.
“Arbitrat duhet të çlirohen nga presioni. Futbolli është bërë shumë i shpejtë dhe gabimet janë pjesë e lojës. VAR-i ka sjellë përmirësim, por situatat subjektive do të diskutohet gjithmonë. Ne duhet të mendojmë për lojën tonë.” Në fund, Alegri la të hapur çdo skenar për merkaton e janarit.
“Skuadra është e fortë. Fatkeqësisht, dëmtimet na kanë vështirësuar punën. Por kur të rikthehen të gjithë, do të kemi më shumë zgjidhje. Nuk mendojmë për ata që mungojnë, por për ata që janë të gatshëm të japin maksimumin.” Milani synon fitoren në Bergamo për të mos humbur kontaktin me kreun dhe për të dhënë sinjal të qartë se mbetet pretendent serioz në garën për titull.