Një lajm i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Gjermani: Eduard Gashi, qytetar i angazhuar nga Lappersdorf dhe i njohur si sipërmarrës, përfaqësues në shoqëri civile dhe aktiv në bashkësinë fetare, është zyrtarisht kandidat për këshillin komunal të Lappersdorfit si dhe për këshillin e qarkut të Regensburgut (Kreistag) në zgjedhjet komunale të vitit 2026, përkrah partisë CSU.
I lindur në Kosovë dhe i rritur në Gjermani, Gashi përfaqëson gjeneratën e re të diasporës shqiptare, e cila është tashmë thellësisht e integruar dhe e gatshme për të marrë përgjegjësi publike dhe politike.
Në një deklaratë për gazetën tonë, ai tha:
“Në një shoqëri demokratike, zgjedhjet pasqyrojnë mesataren e shoqërisë. Çdo pjesë e saj ka të drejtën dhe nevojën për zërin e vet.
Unë nuk jam ‘zëri i emigrantëve’, por zëri i njerëzve që jetojnë këtu – në Gjermani, në Regensburg dhe në Markt Lappersdorf.
Si qytetar i angazhuar, më vjen veçanërisht mirë që kam mundësinë të përfaqësoj edhe komunitetin shqiptar – sepse atdheu nuk është vetëm vendlindja, por vendi ku merr pjesë dhe kontribuon.
Falënderoj përkrahjen nga strukturat e partisë – veçanërisht nga kryetari i CSU për rrethin dhe deputeti i Bundestagut Peter Aumer, kandidati ynë për Landrat dhe deputeti i Landtag-ut Patrick Grossmann, si dhe nga deget lokale të CSU në Lappersdorf dhe kandidati për kryetar bashkie Dr. Franz Rumstadt.”
Për komunitetin shqiptar në Gjermani, kandidimi i Eduard Gashit është një shembull i fortë për integrimin aktiv dhe pjesëmarrjen në vendimmarrjen lokale – një ftesë e hapur që zëri i diasporës të dëgjohet dhe të ketë peshë në shoqërinë gjermane.