Kombëtarja e vajzave luan sot sfidën vendimtare ndaj Qipros

- Bota Sot

Kombëtarja e vajzave luan sot sfidën vendimtare ndaj Qipros

Kombëtarja shqiptare e vajzave luan sot ndeshjen vendimtare përballë Qipros, që do të përcaktojë qëndrimin ose rënien nga Liga B e UEFA Nations League.

Pasditen e djeshme vajzat kuqezi zhvilluan edhe seancën e fundit stërvitore në prag të kësaj ndeshjeje.

Stërvitja u fokusua më shumë në lojëra argëtuese dhe ushtrime të lehta, për të shmangur ngarkesën fizike para takimit të nesërm. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se skuadra gëzon gjendje shumë të mirë fizike.

Një lajm pozitiv për trajnerin Armir Grima dhe stafin kuqezi është rikthimi i Ilarja Zarkës, e cila mungoi në ndeshjen e parë për shkak kartonësh të verdhë, por tashmë është e gatshme të ndihmojë ekipin.

Kundër Qipros sot vlen vetëm fitorja. Skuadra kuqezi duhet të fitojë me një diferencë prej të paktën dy golash për të siguruar qëndrimin në Ligën B. Nëse fitorja do të jetë me vetëm një gol diferencë, ndeshja do të shkojë në shtesa me nga 15 minuta.

Takimi do të luhet në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”.

Ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve përfundoi me rezultatin 3–2 në favor të Qipros.



Lexoni të gjitha në Bota Sot