Gerry Cardinale e konsideron drejtimin e Milanit si projektin më të vështirë të jetës së tij, por edhe më domethënësin.
Presidenti amerikan thekson se klubi është financiarisht stabil për herë të parë pas 17 vitesh dhe se çdo fitim do të riinvestohet për ta çuar Milanin në nivelin e Premier League.
Presidenti i AC Milan, Gerry Cardinale, ka folur hapur për sfidat dhe vizionin e tij në drejtimin e klubit kuqezi, gjatë një interviste në podkastin The Varsity.
Ai e përshkroi punën e tij si “ndoshta gjënë më të vështirë” që ka bërë ndonjëherë, duke theksuar se sistemi i futbollit italian është ende rezistent ndaj ndryshimit, por pikërisht kjo përbën thelbin e investimit të tij.
“Është një sfidë sepse ekosistemi në të cilin operoj është shumë rezistent ndaj ndryshimeve. Por kjo është edhe arsyeja pse vendosa të investoj,” – tha Cardinale.
Numri një i Milanit vuri në dukje se për herë të parë pas 17 vitesh, klubi ka qenë pozitiv në fluksin e parasë, duke nënvizuar se fitimet janë reinvestuar plotësisht në skuadër.
Cardinale shtoi se Milan ka qenë klubi që ka shpenzuar më shumë në Serie A gjatë merkatos së verës, si dhe po ecën me vendosmëri drejt ndërtimit të stadiumit të ri, një projekt që sipas tij nuk synon përfitimin personal, por transformimin e profilit ekonomik të klubit në nivelin e gjigantëve të Premier League.
“Po ndërtojmë një stadium të ri, jo për të fituar para, por për të transformuar profilin financiar të Milanit dhe për ta çuar në nivelin e skuadrave të Premier League,” – tha Cardinale.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Milan kërkon të forcojë pozitën e vet në arenën ndërkombëtare, duke balancuar ambiciet sportive me stabilitetin financiar, një model që Cardinale synon ta kthejë në shembull për gjithë futbollin italian.