Juventusi, në pritje të vendimit përfundimtar të Spallettit

- Bota Sot

Juventusi, në pritje të vendimit përfundimtar të Spallettit

Një takim vendimtar është zhvilluar sot në Milano mes Luciano Spalletti-t dhe Damien Comolli-t, administrator i deleguar i Juventusit, i cili po udhëheq bisedimet për pasuesin e Igor Tudor-it.

Sipas medieve italiane, Spalletti mbetet favoriti kryesor për stolin bardhezi, edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, i cili pritet mes së martës dhe së mërkurës.

Në këtë takim, palët nuk kanë diskutuar ende aspektet ekonomike, por ish-trajneri i Napolit dhe kombëtares italiane ka treguar gatishmëri të plotë ndaj mundësisë për t’u ulur në stolin e Juventusit. Ndërkohë, drejtori sportiv Modesto ka kontaktuar edhe Raffaele Palladino-n, me të cilin ka bashkëpunuar më parë te Monza, duke e mbajtur si opsion të dytë në rast se negociatat me Spalletti-n nuk konkretizohen.

Propozimi i Juventusit

Sipas burimeve pranë klubit, Comolli i ka ofruar Spalletti-t një kontratë deri në qershor, me rinnovim automatik në rast kualifikimi në Champions League. Klubi do ta preferonte marrëveshjen vetëm njëvjeçare, ndërsa trajneri toskan kërkon kontratë dyvjeçare, për të siguruar stabilitet afatgjatë. Juventus, i kujdesshëm pas rasteve të fundit me dëmshpërblime të larta (si rasti Thiago Motta), dëshiron të shmangë angazhime të tepërta.

Spalletti, gati për një rikthim të madh

Edhe pse pas përfundimit të aventurës te Napoli kishte deklaruar se nuk do të drejtonte më në Itali, dështimi me kombëtaren e ka shtyrë Spalletti-n ta rimendojë. Ai e sheh Juventusin si një mundësi të artë për rilindje në nivelet më të larta, duke vlerësuar pozitivisht edhe cilësinë e skuadrës aktuale, që synon një vend në Champions dhe kalimin e play-off-it europian.

Nëse marrëveshja dështon, Raffaele Palladino mbetet alternativa më logjike, por, për momentin, drejtuesit bardhezi janë të fokusuar plotësisht te Luciano Spalletti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot