Futbollisti vdes pasi një copë xhami nga një dritare e thyer ia përshkoi barkun

- Bota Sot

Futbollisti vdes pasi një copë xhami nga një dritare e thyer ia përshkoi barkun

Një futbollist spanjoll ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pasi një copë xhami nga një dritare e thyer dyqani i përshkoi barkun.

Homazhe të shumta po i bëhen Ernest Queralt, në prag të varrimit të tij nesër, pas aksidentit tragjik që ndodhi të shtunën e kaluar në Reus.

Ylli i futsalit u plagos për vdekje pasi ra aksidentalisht mbi dritaren e një librarie, duke e thyer xhamin.

Queralt u dërgua me urgjencë nga vendi i ngjarjes, pak para orës 7 të mëngjesit, në spitalin Joan XXIII në Tarragona, por ndërroi jetë pak pas mbërritjes.

Policia po heton rrethanat e incidentit tragjik, por ka përjashtuar çdo dyshim për ndërhyrje të jashtme.

Skuadra e tij, Tecnovit Alforja, ka bërë një homazh prekës për kapitenin e tyre të ndjerë, i njohur me pseudonimin “Nestu”:

“Nuk kemi fjalë për të përshkruar si ndihemi sot dhe boshllëkun që na lë pas.

Themelues, lojtar, trajner, koordinator, KAPITEN, por mbi të gjitha, një adhurues i këtij klubi, këtij qyteti dhe këtyre ngjyrave.

Do të vazhdojmë t’u mësojmë lojtarëve tanë vlerat e tua – përkushtimin, përgjegjësinë, miqësinë, garueshmërinë – dhe përmes tyre do të mbajmë gjallë kujtimin dhe trashëgiminë tënde, që, si ti, do të jetë e përjetshme.

Gjithmonë i yti, pusho në paqe, mik. Të duam shumë.”

Skuadra njoftoi se ceremonia mortore do të zhvillohet që nga pasditja e sotme deri nesër, përpara varrimit në kishën e Alforjas.

Federata e Futbollit të Katalonjës gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj në një deklaratë:

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e kapitenit dhe lojtarit të ekipit të parë të Tecnovit Alforja FS, që na la në moshën vetëm 38-vjeçare.”

Pas varrimit do të zhvillohet një aktivitet përkujtimor në palestrën komunale ku Queralt luante ndeshjet e tij, në mënyrë që familja, miqtë dhe klubi të mund t’i japin lamtumirën e fundit.

Në fillim të muajit të kaluar ndodhi një tjetër tragjedi e ngjashme: një portier futsali, Antonio Edson dos Santos, vdiq në mënyrë të papritur pasi bllokoi një penallti me kraharor dhe u rrëzua në fushë menjëherë pas kësaj.

34-vjeçari, i njohur si Pixe, po luante për ekipin Sind Motos në një turne amator në qytetin Augusto Correa, në shtetin brazilian Pará, në kuadër të festimeve të javës së pavarësisë së Brazilit.

Pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur, ai u shpall i vdekur në spital, pas përpjekjeve të dështuara të mjekëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot