Tre legjionarë gjejnë rrugën e rrjetës për të bindur Sylvinhon

- Bota Sot

Tre legjionarë gjejnë rrugën e rrjetës për të bindur Sylvinhon

Disa prej legjionarëve shqiptarë që militojnë jashtë vendit kanë dhënë sinjale të forta për trajnerin e Kombëtares, Sylvinho, me paraqitje dhe gola që i afrojnë gjithnjë e më shumë fanellës kuqezi.

Në Turqi, sulmuesi Indrit Tuci u rikthye titullar me Kayserisporin dhe u bë menjëherë protagonist, duke shënuar që në minutën e 3-të golin e vetëm të takimit që i dha fitoren 1-0 skuadrës së tij. Tuci, i huazuar nga Sparta e Pragës, ka realizuar tashmë dy gola me klubin turk këtë sezon.

Në Serinë B italiane, u luajt një derbi shqiptarësh mes Empolit dhe Sampdorias, ku përballë ishin Stiven Shpendi dhe Marvin Çuni. Ky i fundit u bë autor i golit të barazimit për miqtë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Ndërkohë, Kristjan Shpendi, vëllai binjak i Stivenit, vazhdon të shkëlqejë me Çesenën. Ai realizoi nga pika e bardhë në minutën e 34-të, duke ndihmuar skuadrën e tij të triumfojë 2-1 ndaj Carrareses. Ky ishte goli i katërt sezonal për sulmuesin shqiptar në 10 ndeshje, një formë që me siguri nuk do t’i shpëtojë vëmendjes së stafit të Kombëtares.

Të tre emrat – Tuci, Çuni dhe Kristjan Shpendi – po konfirmojnë potencialin e tyre, duke u bërë kandidatë seriozë për një vend në përfaqësuesen kuqezi në të ardhmen e afërt.



Lexoni të gjitha në Bota Sot