FC Kosova e Gjenevës fiton Kupën e Diasporës në Dusseldorf!

- Bota Sot

FC Kosova e Gjenevës fiton Kupën e Diasporës në Dusseldorf!

Shumë pak e prisnin, madje as vetë skuadra e Gjenevës, por futbolli i ka këto befasi, prandaj është kaq i bukur! 

“E diela në Dusseldorf solli një atmosferë të zjarrtë, me tifozë, ngjyra, emocione dhe një finale për t’u mbajtur mend gjatë: FC Kosova Dusseldorf përballej me FC Kosova nga Gjeneva për trofeun e Kupës së Diasporës.

Ekipi ynë po kalonte një periudhë të mirë formë, me rezultate solide dhe pozitë të dytë në renditje, ndaj edhe pritjet për një ndeshje të fortë ishin të mëdha.

Nga ana tjetër, FC Kosova nga Gjeneva, me një histori suksesi në vitet e fundit, e mori finalen shumë seriozisht.

Me vetëdijen se kishin përballë një kundërshtar të fortë, hynë në fushë me besim, disiplinë dhe një dëshirë të zjarrtë për fitore.

Ndeshja nisi shkëlqyeshëm për ekipin tonë: që në minutat e para, kapiteni Astrit Hyseni realizoi golin e parë, duke ndezur entuziazmin e të gjithëve. Të gjithë menduan se fitorja do të ishte thjesht formalitet dhe se do të vinte një rezultat i thellë… Por futbolli nuk njeh parashikime! Pas golit, loja jonë u shua. Lojtarët u çorientuan, mungoi bashkëpunimi dhe ritmi, gjuajtjet në portë dhe kundërshtari përfitoi plotësisht, duke shënuar 2 herë në portën e Enea Koliçit, i cili priti edhe një penallti.

Rezultati përfundimtar? 2:1 për FC Kosova Gjeneva — një fitore e merituar për ekipin që besoi deri në fund. Për ne, një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit, por një mësim i vlefshëm për të ardhmen.

Kupa iu dorëzua kapitenit fitues të FC Kosova nga z. Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës — një moment krenarie për të gjithë ekipin nga Gjeneva.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për FC Kosova Düsseldorf, pas asaj të së premtes së kaluar ndaj SSV Born, sërish me rezultatin 2:1.

Kambanat kanë filluar të bien për ata që dinë të dëgjojnë…

Ndeshja e radhës, e vlefshme për javën e 12 të Landesligës është ditën e diel, 2 nëntor, ora 15.30 përballe FC Wülfrath, në stadiumin tonë”, thuhet nga FC Kosova Dusseldorf.



Lexoni të gjitha në Bota Sot