Lacio do të përballet me Pisën në transfertë duke vijuar të ketë probleme serioze me mungesat në skuadër.
Trajneri Maurizio Sarri nuk do të ketë në dispozicion disa lojtarë të rëndësishëm, mes tyre Rovella, Castellanos, Dele-Bashiru, Cancellieri dhe Nuno Tavares.
Listës së mungesave i është shtuar tashmë edhe Elseid Hysaj. Mbrojtësi shqiptar do të qëndrojë në Romë, pasi vuan nga një tendinopati e lehtë në gjurin e djathtë. Për këtë arsye, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjen kundër toskanëve.
Stafi mjekësor i Lacios ka vendosur të mos rrezikojë rikthimin e parakohshëm të Hysajt, duke synuar rikuperimin e plotë të tij për ndeshjet e ardhshme të kampionatit. Mbrojtësi i Kombëtares sonë pritet të jetë rregullisht në grumbullimin e Kombëtares për muajin nëntor.