Rijadi ishte skena e një tjetër nate të hidhur për Cristiano Ronaldon.
Skuadra e tij, Al Nassr, e cila deri tani ishte e pamposhtur në kampionat, u eliminua nga Kupa e Mbretit të Arabisë Saudite pas humbjes ndaj Al Ittihad-it të Karim Benzemas.
Francezi zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke shënuar një gol fantastik që vulosi eliminimin e verdhebluve dhe një tjetër dështim për portugezin.
Për Ronaldon, kjo ishte një mundësi ideale për të fituar trofeun e parë që nga mbërritja e tij në Arabinë Saudite në janar 2023, por fati nuk ishte në anën e tij. Që prej transferimit, CR7 nuk ka arritur të fitojë asnjë kompeticion zyrtar me Al Nassr, dhe kjo disfatë e fundit e rëndon edhe më shumë bilancin e tij në Lindjen e Mesme.
Ndeshja ishte plot tension dhe rivalitet, jo vetëm mes yjeve Ronaldo e Benzema, por edhe mes trajnerëve portugezë Jorge Jesus (Al Ittihad) dhe Sérgio Conceição (Al Nassr). Pas avantazhit fillestar të Al Ittihad, skuadra e Ronaldos barazoi me të riun Angelo, por Aouar (ish-lojtar i Romës) riktheu vendasit në epërsi para pushimit.
Në pjesën e dytë, megjithëse Al Ittihad mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Al Julaydan, Al Nassr nuk arriti të përmbyste rezultatin. Portieri Rajkovic u bë hero i ndeshjes, duke ndalur disa raste të pastra, përfshirë edhe një mundësi të artë për Sadio Mané. Në fund, Ronaldo e la fushën me kokën ulur, një tjetër trofe që i shpëton, zhgënjimi i 13-të që nga ardhja e tij në Arabinë Saudit.