PSG synon t’i rrëmbejë talentin e La Masia-s

- Bota Sot

PSG synon t’i rrëmbejë talentin e La Masia-s

Paris Saint-Germain duket se është gati të sulmojë sërish “thesarin” e akademisë së Barcelonës, La Masia.

Pas një historie të gjatë transferimesh nga klubi katalanas, francezët kanë vënë tani në shënjestër Juan Hernandez, një mesfushor premtues 18-vjeçar që aktivizohet me Barça Atlètic, skuadra e dytë e Barcelonës, nën drejtimin e Juliano Belletti-t.

PSG ka marrë shpesh lojtarë nga Barcelona në vitet e fundit. Operacioni më i bujshëm mbetet ai i Neymar-it në vitin 2017 për 222 milionë euro, por edhe emra si Kays Ruiz-Atil, Rafinha, Xavi Simons dhe më vonë Arnau Tenas kanë kaluar në Paris në kuadër të projekteve afatgjata.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të bëhet pjesë e qëndrueshme e formacionit kryesor, përjashto Lionel Mess-in dhe Ousmane Dembélé-në, të cilët kanë lënë gjurmë të dukshme në kryeqytetin francez.

Trajneri Luis Enrique, ish-teknik i Barcelonës dhe aktualisht në krye të PSG-së, vazhdon të ndjekë me kujdes prurjet e reja të klubit katalanas. Pas interesimit për Eric Garcia, tani në listën e tij është shtuar edhe Juan Hernandez, një lojtar me teknikë të lartë dhe aftësi për të luajtur në disa pozicione të mesfushës, tipar që Enrique e vlerëson shumë.

Hernandez është pjesë e La Masia-s që nga viti 2022 dhe sezonin e kaluar ka luajtur 10 ndeshje në Youth League, duke shënuar 2 gola. Ai është gjithashtu pjesëtar i rregullt i përfaqësueseve të moshave të Spanjës, nga U-15 deri te U-19.

Kontrata e tij me Barcelonën skadon në qershor 2026, por një klauzolë lirimi prej vetëm 7 milionë eurosh dhe mundësia për ta marrë me parametër zero mund ta tundonin PSG-në për një tjetër “goditje” nga katalanasit.

Për këtë arsye, drejtuesit e Barcelonës dhe trajneri Hansi Flick po kërkojnë ta blindojnë të riun, për të mos humbur një tjetër talent të formuar në akademinë më të famshme të futbollit evropian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot