Partizani vazhdon periudhën e vështirë në kampionat, duke dështuar të marrë pikë edhe në derbin e dytë të fazës së parë. Këtë herë, të kuqtë u përballën me Dinamon në “Elbasan Arena”, ku u mposhtën 2:0.
Në minutën e 26-të, Partizani mendoi se kishte kaluar në avantazh me gol të Garsias, por gëzimi u shua menjëherë, pasi arbitri anuloi golin për ndërhyrje të gabuar në zonë.
Në pjesën e dytë, Dinamo mori kontrollin e lojës. Fillimisht, Dejvi Bregu dhe Bruno Dita rrezikuan dy herë portën e Partizanit, por portieri Qirko u tregua vendimtar me pritje të shkëlqyera. Megjithatë, në minutën e 54-t, fati e tradhtoi Partizanin: Atanaskovski, në përpjekje për të larguar topin nga zona, e devijoi atë në portën e tij, duke e kaluar Dinamon në avantazh 1-0.
Në minutën e 61-të, Dinamo ishte pranë golit të dytë me Ditën, por gjuajtja e tij me kokë kaloi shumë afër shtyllës. Megjithatë, në minutën e 76-të, Neziri vulosi fitoren me golin e dytë për blutë, duke shfrytëzuar lodhjen dhe mungesën e reagimit nga të kuqtë.
Në fund, Dinamo mori një fitore të merituar 2-0 dhe u ngjit në vendin e katërt me 17 pikë, vetëm dy më pak se Vllaznia kryesuese. Ndërkohë, Partizani zhytet edhe më shumë në krizë, duke zbritur në vendin e nëntë me vetëm 8 pikë, dy më shumë se Tirana e vendit të parafundit.