Rreth 250 kg kanabis, Dogana jep detaje për operacionin që u realizua me përkrahjen e AKI-së

- Bota Sot

Rreth 250 kg kanabis, Dogana jep detaje për operacionin që u realizua me përkrahjen e AKI-së

Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur se ka ndaluar 250 kilogramë kanabis, në autostradën “Ibrahim Rugova”, operacion ky me përkrahjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues”, thuhet në komunikatë.

Operacioni ka ndodhur këtë pasdite (të mëkurën), kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike, bën të ditur komunikata.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe Prokurorja kompetente.

Lidhur me këtë rast është arrestuar personi me inicialet S.J., me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

“Dogana e Kosovës vlerëson lart kontributin dhe bashkëpunimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në këtë rast, dhe thekson përkushtimin e saj për të vazhduar koordinimin e ngushtë me të gjitha institucionet në vend. Ky operacion paraqet një tjetër dëshmi të vendosmërisë së institucioneve tona për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe integritetin ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.

 



Lexoni të gjitha në Bota Sot