A do ta shkarkojë Liverpooli Arne Slot-in

- Bota Sot

A do ta shkarkojë Liverpooli Arne Slot-in

Liverpool ndodhet në krizë dhe presioni ndaj trajnerit Arne Slot po rritet pas eliminimit nga Kupa e Ligës të mërkurën në mbrëmje ndaj Crystal Palace. Megjithatë, sipas raportimeve të “BBC”, klubi nuk ka në plan ta shkarkojë holandezin.

Slot është kritikuar pasi në këtë ndeshje zgjodhi të aktivizojë lojtarë të rinj dhe rezervistë, ndërsa humbja ishte e pritshme. Liverpool ka pësuar katër humbje radhazi në Premier League dhe ndodhet shtatë pikë prapa Arsenalit.

Sipas gazetarit të njohur të BBC-së, Phil McNulty, edhe pse rezultatet janë të dobëta, Liverpool “nuk është klub që panikon dhe nuk merr vendime të nxituara”.

Ai kujtoi se Slot fitoi titullin kampion në sezonin e parë pas largimit të Jurgen Klopp dhe ende “ka shumë kredi” tek drejtuesit.

Megjithatë, McNulty shtoi se skuadra duhet të tregojë më shumë forcë dhe ekuilibër, pasi momentalisht “është një ekip i brishtë dhe pa identitet të qartë”.

I pyetur nëse trajneri mund të shkarkohet nëse rezultatet e dobëta vazhdojnë deri në Krishtlindje, McNulty tha:

“Sigurisht që do të ishte nën presion, por jo në rrezik për punën e tij. Pronaret e Liverpoolit janë të qetë dhe të matur, ata besojnë te Slot dhe e dinë që verën e kaluar pati shumë ndryshime në skuadër.”

Liverpool do të përballet në ndeshjet e ardhshme me Aston Villën, Real Madridin dhe Manchester Cityn, tri sfida që mund të përcaktojnë drejtimin e sezonit për trajnerin Arne Slot.



Lexoni të gjitha në Bota Sot