PSG nuk gjen qetësi

- Bota Sot

PSG nuk gjen qetësi

Luis Enrique, që nga momenti që nisi sezoni pa një fazë përgatitore dhe me një Botëror Klubesh të lodhshëm, e tha qartë; duhet treguar kujdes për futbollistët dhe të evitohen dëmtimet, por për fatin e keq të asturianit, kjo nuk ka mundur të evitohet me Paris Saint Germainin që këtë sezon është përballur me një sërë dëmtimesh

I fundit që u bë ‘viktimë’ e problemeve fizike është talenti Désiré Doue, që ka pësuar një dëmtim të rëndë muskular dhe për të cilin parashikohet që mund të qëndrojë jashtë fushave të lojës deri në vitin që vjen.

Futbollisti i përfaqëuseses franceze e pësoi dëmtimin në ndeshjen me Lorient dhe u largua nga fusha e lojës me barrelë dhe mes lotëve. Në zonën mix ai u kap nga kamerat duke ecur me paterica pa e mbështetur thuajse fare këmbën në tokë.

Kjo është hera e dytë që Doue pëson dëmtim, herën e parë ndodhi në muajin shtator gjatë ndeshjeve të kombëtareve të atij muaji me Paris Saint Germain që hyri në polemika të shumta me Federatën Franceze të Futbollit në atë kohë pasi Doue u dëmtua gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e Francës.

Po kështu në atë kohë u dëmtua edhe Dembele pikërisht në ndeshjen me Ukrainën me sulmuesin që qëndroi jashtë fushave të lojës për 40 ditë. 

Futbollistë të tjerë që kanë kaluar në infermierinë e Paris Saint Germainit gjatë kësaj kohe janë edhe Joao Neves, Marquinhos e madje edhe Fabian Ruiz që u la jashtë fushe në ndeshjen me Lorient më shumë për të mos e rrezikuar më shumë.

Dëmtimi i Doue është një problem për skuadrën kampione të Evropës që do të duhet të plotësojë mungesën e një prej talenteve më të mëdha të futbollit aktualisht.

Në këtë situatë, në Francë nuk e përjashtojnë mundësinë që Paris Saint germain të hyjë në merkaton e transferimeve në muajin janar për të përforcuar akoma më shumë skuadrën që këtë vit është prekur nga dëmtime të shumta. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot