Malisheva zyrtarizon ndarjen me Qatip Osmanin

- Bota Sot

Malisheva zyrtarizon ndarjen me Qatip Osmanin

Malisheva po kalon nëpër krizë të rezultateve në elitën e futbollit të Kosovës.

Humbja e fundit në stadiumin “Liman Gegaj”, ishte tronditëse me rezultat 0:5 nga Ballkani Therandës. 

Këtu gjithçka ishte e qartë, Malisheva dhe Qatip Osmani ndajnë rrugët.  

“FC Malisheva njofton se pas ndeshjes së fundit kundër FC Ballkani, Kryetrajneri Qatip Osmani ka ofruar dorëheqjen para kryesisë së klubit.

Pas analizimit me kujdes të ecurisë së deritanishme dhe rezultateve, klubi e ka mirëkuptuar dhe aprovuar dorëheqjen e Kryetrajnerit Qatip Osmani.

Po ashtu, vendimit i janë bashkuar edhe ndihmës-trajnerët Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj.

Klubi ynë shpreh mirënjohje të thellë për punën, edukatën dhe përkushtimin e Kryetrajnerit Qatip Osmani, i cili gjatë kësaj periudhe, sa ishte pjesë e jona, bëri maksimumin me grupin dhe tregoi kulturë e edukatë të jashtëzakonshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor.

Për këto tre muaj, rezultatet nuk ishin ato që prisnim, por klubi fitoi një mik të çmuar dhe, natyrisht, eksperienca e tij la gjurmë edhe tek klubi dhe futbollistët, veçanërisht ata të rinj.

Gjithashtu, jemi thellësisht falënderues për punën profesionale, përkushtimin dhe korrektësinë e ndihmës-trajnerit Bashkim Livoreka, i cili po ashtu kontribuoi shumë në klubin tonë gjatë kësaj periudhe kohore. Për të, klubi do të mbajë respekt dhe mirënjohje të veçantë.

Falënderim i veçantë edhe për ndihmës-trajnerin Liridon Kukaj për punën dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës së kaluar në klub.

FC Malisheva do t’i mbajë dyert e hapura për bashkëpunim edhe në të ardhmen me secilin prej jush. Deri atëherë, ju urojmë shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin tuaj profesional.

Klubi po punon për të emëruar sa më shpejt Kryetrajnerin e ri dhe për kompletimin e shtabit teknik”, thuhet në njoftimin e klubit. C Malisheva.



Lexoni të gjitha në Bota Sot