Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ishte vetëm hija e vetes së tij në “Santiago Bernabeu” të dielën dhe ndërsa disa, përfshirë edhe ndihmës-trajnerin Marcus Sorg, kanë sugjeruar se mund të ketë qenë nën presionin e madh të ndeshjes, të tjerë besojnë se arsyeja kryesore është një dëmtim në ijë që ende po e shqetëson. Një problem që vazhdon t’i shkaktojë telashe.
18-vjeçari filloi të ndiente shqetësime që në fund të gushtit, por pas grumbullimit me kombëtaren e Spanjës u kthye i dëmtuar.
Ai mungoi për dy javë, u rikthye dhe luajti kundër Real Sociedad dhe Paris Saint-Germain, por më pas u detyrua të qëndronte jashtë fushës edhe për tre javë të tjera.
Sipas “Cadena Cope”, njerëzit pranë Lamine Yamal thonë se ai ende nuk është 100% i rikuperuar, ndërsa burime brenda Barcelonës kanë konfirmuar se lojtari vazhdon të ndiejë shqetësime të lehta. Kjo situatë është kthyer në një shqetësim serioz për klubin dhe për ata që kujdesen për të.
Në anën tjetër, ish-fizioterapisti i Barcelonës, Miguel Ángel Cos, tha për “Cadena SER” (nëpërmjet “Sport”) se Lamine Yamal “duhet të mësojë të jetojë me këtë dëmtim në ijë”. Ai shpjegon se nuk bëhet fjalë për një dëmtim klasik muskulor, por për një problem që shpesh shfaqet gjatë periudhës së rritjes, sidomos nëse lojtari ka shtuar masë muskulore gjatë vitit të fundit. Dëmtimi ndodh në pikën ku muskujt abdominalë takohen me ata të kofshës, dhe nëse nuk janë tërësisht të sinkronizuar, shkaktojnë dhimbje.
Nuk ka një zgjidhje të menjëhershme për këtë, përveç pritjes dhe ndjekjes së rreptë të terapisë fizioterapeutike, duke shmangur “ushtrimet shpërthyese”. Cos kujtoi se edhe Lionel Messi kishte pasur probleme të ngjashme në dy raste, dhe se stafi mjekësor duhej t’ia ndalonte lojën e “foot-tennis” me Ronaldinhon, pasi argjentinasi jepte gjithçka në ato duele miqësore.