 
            Një laborator i specializuar në përpunimin e metaleve të çmuara në Lyon është bërë sot arenë e një grabitjeje të armatosur, që ngjante më shumë me një skenë filmi aksion.
Sipas gazetës Le Progrès, ngjarja ndodhi të enjten pasdite në lagjen e VII-të të qytetit, dhe falë reagimit të shpejtë të policisë, të pesë autorët e dyshuar u arrestuan, ndërsa objektet e grabitura u rikuperuan.
Incidenti ndodhi rreth orës 13:40, në laboratorin Pourquery, në bulevardin du Parc d’Artillerie. Dëshmitarë okularë thanë për Le Progrès se pesë grabitësit shpërthyen xhamat e laboratorit, përpara se të futeshin brenda të armatosur me armë të gjata lufte dhe me uniforma policie. Ata ngarkuan materialet me vlerë në një furgon të vogël të bardhë dhe tentuan të arratiseshin.
Një video e publikuar në rrjete sociale tregon momentet e shpërthimit të fuqishëm, ndërsa përpara ndërtesës shihet një furgon i bardhë me drita policie. Në pamje shfaqen tre persona të armatosur, njëri me kapelë dhe jelek portokalli, ndërsa tjetri me maskë dhe një shkallë metalike, me të cilën përpiqen të kalojnë rrethimin e laboratorit.
Pas një ndjekjeje intensive nga njësia speciale e policisë BRI (Brigade de Recherche et d’Intervention), të pesë grabitësit u kapën, njoftoi prefektura e Lyonit. Hetimet tashmë janë në duart e policisë gjyqësore.
Nga 28 punonjësit që ndodheshin në objekt gjatë grabitjes, pesë prej tyre pësuan lëndime të lehta dhe u trajtuan nga shërbimet zjarrfikëse të metropolit të Lyonit.
Grabitje të tilla me armë nuk janë të rralla në rajonin e Lyonit. Vetë laboratori Pourquery kishte qenë objekt i një tentative grabitjeje më 15 maj 2024, ndërsa në prill të po atij viti, një furgon me bizhuteri ishte sulmuar në Rillieux-la-Pape.