Kombëtarja U20 nis përgatitjet për dy miqësoret me Katarin

- Bota Sot

Kombëtarja U20 nis përgatitjet për dy miqësoret me Katarin

Kombëtarja e Kosovës U20 ka filluar sot grumbullimin përgatitor për dy ndeshje miqësore kundër Katarit, të cilat do t’i zhvillojë më 2 dhe 5 nëntor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me fillim në orën 13:00.

Përzgjedhësi Bekim Isufi për këto dy ndeshje do t’i ketë në dispozicion 28 futbollistë, një përzierje mes lojtarëve që luajnë në kampionatin vendor dhe atyre që luajnë në skuadrat evropiane.

Isufi u shpreh se angazhimi i futbollistëve ishte i lartë, edhe pse është vetëm dita e parë dhe se stafi teknik do të ketë mundësi të vlerësojë lojtarët gjatë seancave të ardhshme dhe gjatë vetë ndeshjeve.

“Shumë lojtarë takohen për herë të parë. Jemi munduar të bëjmë një stërvitje edhe sociale, që lojtarët të njihen më mirë ndërmjet veti. Jam i kënaqur me angazhimin të cilin e dhanë sot, por kjo është vetëm dita e parë.

Kemi një orar të shkurt, por duhet të gjejmë mënyrën se si t’ua transmetojmë ato kërkesat tona për ato dy ndeshjet që i kemi me Katarin.

Ndoshta është herët të japim një vlerësim sepse vetëm dita e parë, por me sa shoh ka potencial. Lojtarët vendor i njohim më shumë sepse e kemi përcjellë gjendjen e tyre, por do të mundohemi ta bëjmë një ekip që do të paraqitet mirë. I kemi edhe dy seanca para ndeshjes dhe do të shohim e të zgjedhim më të mirët.

Do ta kemi pastaj edhe ndeshjen e dytë dhe do të shohim gjatë ndeshjes se si do të reagojnë lojtarët.

Qëllimi është që t’u japim mundësinë të gjithëve.

Të them të drejtën pak e njohim Katarin, sepse nuk kemi pasur mundësi të shohim ndonjë ndeshje të tyre që të orientohemi, por e njëjta gjë vlen edhe për ata sepse edhe ata pak na njohin”, tha Isufi.

Edhe vetë lojtarët u shprehën të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në dy ndeshjet ndaj Katarit, duke theksuar rëndësinë e përvojës së grumbullimeve dhe lojës me Kombëtaren U20.

Rin Ahmeti tha se ky është grumbullimi i tij i parë me fanellën e kombëtares U20 dhe një ndjenjë shumë e mirë të luaj me disa lojtarë që janë shumë profesional.

“Stërvitja ishte shumë e mirë. Ka qenë intensitet i lartë, të gjithë lojtarët ishin në formë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri te ndeshjet. Këto dy ndeshje presim vetëm fitore. Kundërshtarin nuk e njohim, por të japim maksimumin tonë dhe shpresoj në dy fitore”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, Ernis Qestaj theksoi se është ndjenjë e papërshkrueshme dhe privilegj të jesh pjesë e Kombëtares.

“Të gjithë punën dhe sakrificën që e bëjmë në klubet tona e bëjmë për të qenë pjesë e kombëtares.

E Deli Hajdini, i cili ka qenë më herët pjesë e Kombëtares U19 tha se është ndjenjë shumë e mirë që e vesh sërish fanellën dardane, kësaj radheme U20, derisa vuri në pah faktin se njihen pak me njëri-tjetrin.

“Është pak e vështirë, por mendoj se në stërvitjet e radhës do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe do të kemi një kimi të mirë në lojë. Janë disa lojtarë që njihemi edhe më përpara, por çka pashë sot jemi një grup shumë i mirë dhe besoj se do të kemi një rezultat pozitiv”, tha ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot