Rusia ka bombarduar një tjetër termocentral në Ukrainë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij sot në mbrëmje.
Sipas Zelensky, sulmi goditi termocentralin në Sloviansk, qyteti më i madh në rajonin e Donetskut që ende kontrollohet nga Kievi.
“Për fat të keq, dy persona humbën jetën,” tha ai, duke shtuar se “disa të tjerë janë plagosur”.
Ky sulm vjen pas njërës prej netëve më të rënda të luftës për Ukrainën, me një numër të madh goditjesh ndaj objekteve energjetike.
Përballë sulmeve të qëllimshme ndaj infrastrukturës civile, Zelensky e përshkroi këtë si terrorizëm dhe theksoi se bota duhet të reagojë.
Ai përmendi sanksionet e fundit ndaj kompanive ruse të naftës si një shembull të përgjigjes efektive, duke thënë se ato tashmë kanë treguar ndikim të qartë.
“Eksportet e naftës janë themeli i arrogancës ruse dhe nëse sanksionet mbeten ose ashpërsohen, Rusia do të pësojë humbje të ndjeshme”, tha Zelensky.
Sipas vlerësimeve të tij, Moska mund “të humbasë rreth 50 miliardë dollarë vitin e ardhshëm.
“Sanksionet më të forta do të ishin një mjet i fuqishëm për ta detyruar Rusinë të ndalojë luftën", shtoi ai.