Paul Pogba përjeton një tjetër goditje në karrierën e tij, duke ndezur alarmin te Monaco dhe duke sjellë dyshime serioze mbi të ardhmen e tij në Ligue 1.
Mesfushori francez, i cili pritej të debutonte nesër kundër Paris FC, ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë stërvitjes, duke e detyruar të mungojë në seancën e sotme dhe në ndeshjen e radhës.
Sipas raportimeve nga Franca, Pogba është dëmtuar në një duel gjatë seancës së djeshme dhe diagnoza fillestare ka rritur pasiguritë rreth rikuperimit të tij. Trajneri Pocognoli kishte paralajmëruar se francezi ndoshta nuk do të ishte gati, por problemi fizik e ka bërë situatën edhe më shqetësuese.
Monaco, që kishte investuar shumë për të rikthyer Pogba-në në nivelet e larta dhe për t’i dhënë atij një mundësi të re pas sanksionit për doping, tashmë po reflekton seriozisht mbi rolin e tij në skuadër dhe mbi planet për të ardhmen.
Ndeshja e fundit zyrtare e Pogba-së ishte më 3 shtator 2023 me Juventusin, klub që sot drejtohet nga Igor Tudor.
Pas skualifikimit, përfunduar në mars, ai u rikthye me ambicie të mëdha dhe projekti i Monacos dukej si mundësi ideale për rilindjen e tij.
Megjithatë, ky dëmtim i ri rrezikon të shtyjë edhe një herë kthimin e tij në fushë, duke i lënë të hapur shumë pikëpyetje për karrierën e tij dhe për durimin e klubit monegask, që ende nuk ka mundur ta ketë në dispozicion. Pogba vetë shpreson se do të ndiejë së shpejti përmirësime, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë.