Rusia ka vendosur rreth 170 mijë trupa në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, ku po përpiqet të marrë nën kontroll bastionin e Pokrovskut në një përpjekje të madhe për fitore në fushëbetejë, tha të premten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
“Situata në Pokrovsk është e vështirë,” tha Zelenskyy, duke hedhur poshtë pretendimet e fundit ruse se qyteti i shkatërruar është i rrethuar pas më shumë se një viti luftime. Ai pranoi se disa njësi ruse kishin depërtuar në qytet, por këmbënguli se mbrojtësit ukrainas po i spastrojnë ato.
“Ka rusë në Pokrovsk,” tha Zelenskyy në një konferencë shtypi në Kiev. “Ata po asgjësohen, gradualisht po asgjësohen, sepse, e dini, ne duhet të ruajmë personelin tonë”, shtoi ai, raporton AP.
Në rrethime të mëparshme gjatë gati katër viteve që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukraina është tërhequr nga disa vende për të shmangur humbje të mëdha në trupa. Forcat ukrainase aktualisht janë në mungesë të fuqisë punëtore përballë ushtrisë më të madhe të Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar kohët e fundit se forcat ruse po bëjnë përparime të rëndësishme në fushëbetejë, megjithëse përparimi i tyre ka qenë i ngadalshëm dhe i kushtueshëm në trupa dhe mjete të blinduara.
Putin po përpiqet ta bindë SHBA-në, të cilat kërkojnë prej tij të arrijë një marrëveshje paqeje, se Ukraina nuk mund t’i rezistojë epërsisë ushtarake ruse. Ai gjithashtu ka theksuar përmirësimet e ashtuquajtura në kapacitetin bërthamor të Rusisë, duke refuzuar të tërhiqet nga ato që i quan objektiva legjitime të luftës së vendit të tij
Ukraina pretendon goditje ndaj objekteve të naftës në Rusi
Ukraina po kundërpërgjigjet, duke goditur objektiva brenda territorit rus për të penguar logjistikën ushtarake dhe për t’u bërë civilëve rusë të ndiejnë pasojat e luftës.
Që nga fillimi i vitit, Ukraina ka kryer mbi 160 sulme të suksesshme me rreze të gjatë ndaj objekteve të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në Rusi, tha shefi i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, gjatë konferencës.
Vetëm në shtator dhe tetor, Ukraina ka kryer 20 sulme ndaj objekteve ruse të naftës, shtoi Maliuk.