Dhjetëra-mijëra njerëz vazhdojnë të shkojnë drejt Novi Sadit, ku nesër pritet ndoshta tubimi më i madh në historinë e Serbisë në njëvjetorin e shembjes së tendës hekurudhore, e cila la 16 të vdekur, pas së cilës shpërthyen protesta gjithë popullore në shenjë zemërimi ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiq.
Një kolonë studentësh nga Novi Pazari, të cilët kanë ecur rreth 400 kilometra gjatë 16 ditëve, kanë arritur në Novi Sad, raporton KosovaPress.
"Do të më mungojë kjo shëtitje, shakatë e përditshme me miqtë, kënga, atmosfera. Ne ecëm çdo ditë për një viktimë dhe jemi të lumtur që njerëzit u zgjuan gjatë marshimit tonë. Askush nuk dorëzohet, askush nuk mund ti ndalë këto ecje", tha studenti Amar, sipas mediave serbe.
Në kryqëzimin e Bulevardit të Çlirimit dhe Rrugës së Frontit popullor në Novi Sad, pak para Urës së Lirisë, sonte pritet mbledhja kryesore e pjesëmarrësve të marshit.
Sipas informacioneve, gjashtë kolona këmbësorësh dhe një çiklist po lëvizin drejt Novi Sadit. Kolona nga Banati, Subotica, Sombori, Vrbasi dhe vende të tjera në Baçka do të mbërrijnë më pas në qytet, ndërsa pritet mbërritja e një grupi nga Baçka Pallanka, i cili gjithashtu u nis këtë mëngjes.
Studentët që bllokuan fakultetet iu përgjigjën shpejt Aleksandar Vuçiq, i cili në fjalimin e tij sonte kërkoi falje për deklaratat e tij të mëparshme dhe bëri thirrje për dialog.
Studentët e Fakultetit të Shkencave Teknike në Novi Sad thanë se ka "një pengesë të vogël" pasi Vuçiq po "ofron sërish dialog dhe pajtim".
"Nëse po pyesni veten pse ai po ofron përsëri dialog dhe pajtim, dhe një muaj më parë urdhëroi që të gjithë të rriheshim dhe të arrestoheshim, ka një problem të vogël. Nesër, 47 ekipe gazetarësh të huaj pritet të mbërrijnë në Novi Sad, kryesisht nga Evropa, por edhe nga e gjithë bota. Kaq është," thanë ata.
Qeveria e Serbisë shpalli 1 nëntorin 2025 ditë zie me rastin e përvjetorit të vdekjes së 16 personave nga shembja e tendës në Novi Sad. Vuçiq tha se ishte një tragjedi që tronditi vendin dhe pranoi se shumë, përfshirë edhe veten e tij, kanë bërë gabime.
"Në disa momente thashë gjëra për të cilat më vjen keq që i thashë, studentëve, demonstruesve dhe të tjerëve. Kërkoj ndjesë për këtë", tha ai.
Kujtojmë, gjatë ditës të gjithë trenat në Serbi janë pezulluar për shkak të kërcënimeve të dyshuara me bomba. Në Novi Sad, forcat speciale arrestuan politikanin opozitar Misha Baçulov.