Kylian Mbappe, sulmuesi francez i Real Madridit, ka fituar për herë të parë Këpucën e Artë për sezonin e kaluar pas 31 golave në 34 ndeshje në LaLiga dhe në një intervistë të fundit ka folur për objektivat e tij këtë sezon, duke përmendur edhe idhullin e tij, Cristiano Ronaldo.
Mbappé tregoi se ëndrra e tij për Këpucën e Artë filloi që në fëmijëri dhe shpreson ta fitojë sërish këtë çmim, duke e parë si një tregues që po bën punën e tij si duhet. “Qëllimi im është të vazhdoj në të njëjtën linjë me ekipin.
Nëse fitojmë LaLiga-n dhe unë arrij një tjetër Këpucë të Artë, do të jem më i lumtur se tani,” tha sulmuesi.
Ai theksoi rëndësinë e golave dhe përmendi veçanërisht golin e parë në ‘Bernabéu’ kundër Betisit, duke e konsideruar një moment të veçantë që shënon fillimin e historisë së tij në stadiumin legjendar. Për pozicionin në fushë, Mbappé tha se është një sulmues fleksibël që mund të luajë si 9 apo 10, duke shtuar se më e rëndësishmja është të bëjë punën e tij, pavarësisht nga pozicioni.
Duke folur për ndryshimet që ka pësuar që nga fitimi i Kupës së Botës 2022, Mbappé tha: “Kam mësuar nga sukseset dhe gabimet e mia dhe jam bërë lojtari dhe personi që jam sot. Ndryshimi është pozitiv, sa herë që përmirëson vetveten.”
Krahasuar me PSG-në, ai tha se Real Madrid ka një histori më të thellë dhe kulturë më të pasur, duke shtuar se ndihet krenar për të qenë pjesë e të dy klubeve.
Për lidhjen me Cristiano Ronaldon, Mbappé deklaroi: “Të përmendem krah tij është një nder, por unë mendoj vetëm të ndjek rrugën time, të ndihmoj ekipin dhe të fitoj të gjithë titujt e mundshëm.”
Për objektivat e sezonit, Mbappé tha se nuk zgjedh një objektiv të vetëm: “Si konkurrues dua të luftoj për gjithçka. Dua të jap më të mirën time në çdo kompeticion.” Ai theksoi rëndësinë e përqendrimit gjatë 90 minutave dhe bashkëpunimin me trajnerin Xabi Alonso, duke shtuar se ekipi ka përmirësuar performancën që nga fillimi i sezonit.
Mbappé nuk ka vendosur si objektiv një numër të caktuar golash për sezonin, duke thënë se prioriteti i tij është gjithmonë të kontribuojë për ekipin, qoftë duke shënuar apo duke ndihmuar në çdo mënyrë që të fitojnë tituj.
Ai përmendi gjithashtu lojtarët e rinj si Arda Guler dhe ish-shokët e tij te PSG, duke shprehur respekt dhe dëshirë për t’u përballur me ta në Champions League në të ardhmen.