Fitoi Europa Leaguen me Totenhemin, 27-vjeçari tërhiqet

- Bota Sot

Fitoi Europa Leaguen me Totenhemin, 27-vjeçari tërhiqet

Portier Alfie Uajtmen ka njoftuar një ndryshim të madh në karrierë, pas përfundimit të kontratës me gjigantët e Totenhem Ai vendosi të tërhiqet nga futbolli profesionist në moshën vetëm 27-vjeçare, për t’u përkushtuar një karriere të re si regjisor dhe fotograf.

Uajtmen iu bashkua Totenhemit në moshën 10-vjeçare dhe qëndroi në klub, përveç dy huazimeve te skuadra suedeze Degerfors, deri në maj të këtij viti, kur kontrata e tij përfundoi.

Klubi anglez vendosi të mos rinovojë marrëveshjen me portierin, i cili regjistroi vetëm një paraqitje me ekipin e parë, teksa më pas vendosi të largohet përfundimisht nga futbolli.

Uajtmen i cili ka një profil të njohur në aplikacionin e recensave të filmave Letterboxd dhe drejton një emision mujor radioje në NTS, njoftoi të premten se ka firmosur me kompaninë e prodhimit Some Such.

Duke folur për “The Athletic” ai tha: “Stereotipi i futbollistit është përgjithësisht i vërtetë. Është ajo kultura e golfit dhe çantës së larjes. Edhe unë isha ashtu si i ri. Doja çantën Gucci dhe ngisja Mercedes. Të gjithë bëheni pasqyrë e njëri-tjetrit. Je produkt i mjedisit tënd.

Kështu është futbolli në këtë vend, është i mbyllur ndaj gjithçkaje tjetër. Shkon në stërvitje dhe pastaj kthehesh në shtëpi, kaq. Unë gjithmonë ndihesha pak ndryshe. Shokët e skuadrës me të cilët shkoja shumë mirë më quanin ‘hippie’. Ky ishte përkufizimi i tyre.

Por kur isha 18 vjeç, u njoha me ish-të dashurën time, e cila ishte modele dhe pak më e madhe se unë. Mikja e saj më e ngushtë ishte regjisore. Kjo më hapi sytë për atë që jeta ka për të ofruar.

Rreth moshës 18-19 vjeç fillova të njihja njerëz të rinj dhe të kuptoja më shumë për veten, duke parë më qartë flluskën e futbollit, sepse

Futbolli është karrierë e shkurtër sido që të jetë, edhe nëse ke shumë sukses, dhe e dija që nuk doja të qëndroja përgjithmonë në të. Doja të fitoja përvojë dhe të mësoja për gjërat që më interesonin, sepse më pëlqente, dhe isha i rrethuar nga njerëz që bënin atë që unë doja ta bëja si punë. Ata krijonin gjëra. Ishte shumë frymëzuese.”

Në një postim në Instagram, Some Such shkroi: “Me një sy të mprehtë për të kapur momentet e lidhjeve njerëzore në vende të pazbuluara, puna e Alfie si regjisor dhe fotograf përcaktohet nga kureshtja për mënyrën se si ndërthuren kultura, identiteti dhe komuniteti. Si ish-futbollist profesionist Alfie e kanalizon disiplinën e sportit elitar në hapësirën e lirë të krijimtarisë.”

Uajtmen që ka përfaqësuar Anglinë në nivelet e moshave, është tifoz i lindur i Totenham, pasi është rritur pranë stadiumit të vjetër të klubit. “Prindërit e mi ende jetojnë në Totenhem, afër stadiumit, mund ta shohin nga dritarja e banjës,” kishte thënë ai në një intervistë për klubin në vitin 2023.

Kujtojmë që Uajtmen, u shpall kampion i Europa Ligës, sezonin e shkuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot